Vendosni fjalën kyçe....

Kosova shënon përparim në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve



Kosova ka arritur rezultate pozitive në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve, duke reflektuar përkushtimin e institucioneve ndaj politikave të bazuara në evidencë dhe programeve strategjike shëndetësore. Kështu theksohet në raportin e fundit të Grupit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve.

Raporti tregon se vendi ka shënuar rënie të dukshme të vdekjeve tek fëmijët nën moshën pesëvjeçare. Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, thotë se ky trend pozitiv reflekton përpjekjet për ofrimin e shërbimeve cilësore.

“Është vënë re një trend pozitiv, i cili bazohet në: Zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve infrastrukturore në neonatologji, trajnimin e stafit dhe ofrimin e monitorimit më të avancuar, përdorimin e teknologjive të avancuara, si për shembull pajisjet për përmirësimin e ventilimit respirator”, tha Morina.

Raporti pasqyron gjithashtu përpjekjet e institucioneve në hartimin e politikave me fokus tek nënat dhe foshnjat. Zyrtarja e UNICEF-it për shëndetësi, Dafina Muçaj, tha:

“Do të thotë, Kosova në 10 vitet e fundit ka treguar një sukses me 39% ulje të fëmijëve nën moshën 5 vjeçare. Në krahasim, për shembull, me vitin 2015, afër 15 fëmijë kanë vdekur në 1000 lindje të gjalla, dhe kjo përqindje ka rënë tashmë në 8 në vitin 2024.”

Përmirësimet lidhen edhe me investimet në kujdesin parësor dhe zgjerimin e programeve që mbështesin nënat dhe fëmijët në shtëpi. Afërdita Krasniqi, koordinatore për nëna dhe fëmijë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, tha:

“Programi për nënat dhe fëmijët ka filluar nga viti 2023. Në kuadër të programit punojmë me katër ekipe: dy paradite dhe dy pasdite. Informatat i marrim nga Klinika e Gjinekologjisë dhe ato private përmes Qendrave të Mjekësisë Familjare. Është shumë e rëndësishme sepse nënat, në bashkëpunim me infermieret, bashkëbisedojnë dhe e përcjellin zhvillimin e fëmijëve.”

Sipas raportit global, rreth 4.9 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare vdiqën në mbarë botën gjatë vitit 2024, duke nxitur nevojën për përshpejtim të masave parandaluese për mbijetesën e fëmijëve.