
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, duke akuzuar qeverinë për mungesë ndërhyrjeje dhe për “tallje” ndaj qytetarëve.
Në reagimin e tij, Këlliçi thekson:
“Kryeministri i cili dje paradite rriti çmimin e naftës në 218 lekë, u shfaq pasdite si opinionist amator, me komente qesharake, të tipit kjo ka ndodhur prej luftës në Iran. Bota rrotullohet, e plot dokrra si këto. Vetëm për masat që duhej të kishte marrë si Kryeministër, nuk tha asnjë fjalë.”
Ai shton se sot Rama u shpreh se gjithçka është në rregull, por sipas Këlliçit, kjo nuk reflekton realitetin e qytetarëve:
“Ku po shkojnë gjërat mirë përveçse në oborrin e tij?! Si duhet të tingëllojnë këto fjalë tek qytetarët që e marrin karburantin dhe shumë prej ushqimeve 40% më shtrenjtë se vendet e rajonit, ndërkohë që kanë të ardhurat më të ulëta në kontinent?! Krejt ndryshe nga vendet normale, apo dhe fqinjët tanë, që kanë ndërhyrë tek taksat dhe kanë miratuar paketa financiare lehtësuese e mbështetëse, Edi Rama këtu ka vetëm fjalë, premtime për të ardhmen dhe tallje mizore.”
Këlliçi përfundon me një thirrje për qytetarët:
“Kësaj sjellje njerëzit duhet t’i japin përgjigjen që meriton. Me 17 prill është rasti të bashkohemi sërish në sheshin e protestës!”