
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në komunikimin e tij të së dielës, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe mashtruese për qytetarët, veçanërisht sa i përket çmimit të naftës dhe investimeve të huaja në Shqipëri.
Sipas Berishës, pretendimi se bordi i transparencës nuk ndikon në çmimin e karburanteve bie në kundërshtim me vendimet e fundit të tij. Ai theksoi se bordi ka njoftuar rritjen e çmimit të naftës nga 203 lekë në 215 lekë, pas një reagimi publik të kompanive të tregtimit të karburanteve. Në këtë kontekst, Berisha argumentoi se struktura në fjalë vepron më shumë në funksion të interesave të kompanive sesa të konsumatorëve.
Ai shtoi se, sipas tij, një ndër arsyet kryesore të çmimit të lartë të karburanteve në vend lidhet me nivelin e taksave mbi naftën, që sipas tij arrijnë në rreth 1.1 euro për litër. Për këtë arsye, ai kërkoi që ulja e barrës fiskale mbi karburantet të kthehet në një kërkesë të gjerë qytetare.
Në vijim, Berisha kundërshtoi deklaratat e Ramës lidhur me investimet e huaja, duke pretenduar se projektet më të mëdha të realizuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit janë kontraktuar më herët. Ai përmendi si shembuj Devoll Hydropower Project, Trans Adriatic Pipeline si dhe investimet e Shell, duke theksuar se këto projekte, sipas tij, janë rezultat i marrëveshjeve të mëparshme.
Berisha deklaroi gjithashtu se gjatë viteve të fundit, sipas tij, nuk janë regjistruar investime të mëdha të reja nga kompani ndërkombëtare dhe se disa projekte të rëndësishme të planifikuara nuk janë realizuar. Ai përmendi edhe rastin e zonës së Gjirit të Lalzit si një mundësi investimi që, sipas tij, nuk u konkretizua.
Në lidhje me procedurat e prokurimit publik, Berisha pretendoi se sistemi elektronik e-Albania krijon pengesa për pjesëmarrjen e kompanive të huaja në tendera, duke argumentuar se afatet procedurale nuk u japin kohë të mjaftueshme për aplikim.
Ai kritikoi gjithashtu situatën politike dhe institucionale, duke iu referuar çështjeve që lidhen me AKSHI dhe duke përsëritur akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku për menaxhimin e fondeve publike.
Në përfundim, Berisha deklaroi se kryeministri, sipas tij, do të vazhdojë komunikimin publik përmes mediave, ndërsa bëri thirrje për reagim qytetar ndaj përfaqësuesve të mazhorancës.
“Mashtrimet në monologun e së dielës të Edi Ramës janë bërë si përrallat e Nastradinit. Sot, ai kishte përzgjedhur të fliste për naftën dhe për të mashtruar qytetarët se, bordi nuk ka asnjë lidhje me çmimet, ndërkohë që bordi i tij dje njoftoi rritjen e çmimit, nga 203 lekë që kishte njoftuar më parë në 215 lekë, pas një letre publike që i bënë përfaqësuesit e kompanive të naftës, duke dëshmuar se ai bord është në mbrojtje të kompanive dhe jo të qytetarëve.
Sërish, theksoj se, themeli i çmimit statosferik të naftës në Shqipëri qendron taksën qeveritare të Edi Ramës mbi naftën 1.1 euro.
Ndaj dhe ulja e saj duhet të jetë kërkesë e mbarë qytetarëve shqiptarë.
Edi Rama në monologun e tij foli për investimet e huaja, për një konferencë me mijëra pjesëmarrës, në të cilat në të vërtetë janë dhe mungestarët e mëdhenj në Shqipëri.
Unë dua t’i informoj shqiptarët se, gjatë këtyre 12 viteve, të vetmet investime të mldha në Shqipëri kanë qenë investimet e kontraktuara, që të gjitha nga PD.
Kanë qenë Kaskada e Devollit, me të cilën Edi Rama u tall dhe e përqeshi disa herë përpara. Ka qenë gazsjellësi trans Adriatik, i cili sot është më i çmuar se kurrë për mbarë Europën dhe siç dihet në kontraktimin e tij, Shqipëria luajti një rol përcaktues. Ka qenë Shell, i cili investoi miliarda në Shqipëri, por për fat të keq nuk gjeti, nuk ka asnjë investitor të madh, në mënyrë absolute, asnjë investitor serioz që të ketë ardhur dhe vendosur investimet e tyre në Shqipëri gjatë këtyre viteve, por përkundrazi kanë ikur investitorët gjigantë, që vetëm në Gjirin e Laëzit planifikonin të investonin 1.5 miliardë euro investime dhe shumë investitorë të tjerë.
Rrugë që shemben, që të gjitha u ndërtuan nga klientela e Edi Ramës, sepse me e-Albania ai përjashton të huajt nga pjesëmarrja në tendera, për arsye se, koha që u përgjigjet e-Albania atyre është 38 ditë, ndërkohë që tenderat kanë përfunduar brenda 34 ditëve.
Pra, kemi të bëjmë me një cikël mashtrimesh. Së fundmi, Edi Rama deklaroi se do të fillojë dialogun. I damkosur, i diskredituar para shqiptarëve me dosjet Balluku dhe AKSHI-n që provojnë se Lubi Balluku dhe Edi Rama janë hajdutët më kryesorë të fondeve publike të miliarda eurove që provuan se AKSHI është kompani e Lindave të tij, e Ergys Agasit, tani i diskredituar para shqiptarëve, por jo më para komunitetit ndërkombëtar, do fillojë fushatën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave me mediat e tij të kontrolluara dhe me anëtarësinë militante të PS. Në këtë rast, u bëj thirrje qytetarëve t’i gjuajnë me vezë dhe domate përfaqësuesit e organizatës kriminale të përfaqësuar nga Edi Rama, të cilët së fundmi vendosën të përdornin mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e Lubi Ballukut dhe Edi Ramës. Mos iu jipni asnjë vlerësim tjetër, përveçse vezë dhe domate në drejtim tyre kudo që t’i shihni në rrugë, sheshe, në sallat e Shqipërisë.”