Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli vret tre gazetarë në Libanin jugor, qeveria libaneze dënon veprimin si “krim lufte”


Tre gazetarë u vranë të shtunën në Libanin jugor nga sulmet e Izraelit, sipas raporteve të kanaleve televizive dhe autoriteteve lokale. Qeveria libaneze reagoi duke i quajtur këto vrasje një “krim flagrant lufte”

Ali Shoeib, nga stacioni televiziv al-Manar në pronësi të Hezbollahut, Fatima Ftouni dhe vëllai i saj dhe kameramani Mohammed Ftouni nga media pro-Hezbollahut, al-Mayadeen, u vranë në sulmin që kishte në shënjestër makinën e tyre.

Izraeli mori përsipër sulmin menjëherë më pas, duke thënë se shënjestra ishte Shoeib, të cilin e akuzoi si një “terrorist” të Hezbollahut në një njësi inteligjence që kishte raportuar mbi vendndodhjet e ushtarëve izraelitë në Libanin jugor. Ushtria izraelite nuk dha prova të mëtejshme për të mbështetur pretendimin dhe nuk bëri asnjë koment mbi vrasjen e gazetarëve të tjerë.

Tre gazetarët u goditën ndërsa po udhëtonin me makinë në Jezzine në jug të Libanit.

Sipas raporteve të televizioneve lokale, të paktën katër raketa u qëlluan drejt makinës ku ndodheshin gazetarët. Pamjet filmike tregojnë një moment kur një raketë u qëllua midis makinës dhe disa kalimtarëve, të cilët po përpiqeshin t’u afrohen dhe t’u japin ndihmë, shkruan The Guardian.

Videoja pas sulmit tregon xhaketa dhe helmeta të djegura të gazetarëve, si dhe trekëmbësha dhe mikrofonë që ishin nxjerrë nga makina, duke dëshmuar shkallën e shkatërrimit dhe tragjedisë së ngjarjes.

Ligji ndërkombëtar thotë se pavarësisht përkatësisë politike, gazetarët konsiderohen civilë dhe shënjestrimi i tyre është krim lufte. Tetë nga nëntë gazetarët e vrarë nga Izraeli në Liban që nga 13 tetori 2023 punonin për media të lidhura me Hezbollahun, dhe analistët kanë sugjeruar se vrasjet vijnë si pjesë e strategjisë së Izraelit për të sulmuar krahët civilë të grupit.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i përshkroi gazetarët si “civilë që po kryejnë detyrën e tyre profesionale”. Duke shkruar në X, ai tha: “Është një krim i paturp që shkel të gjitha traktatet dhe normat përmes të cilave gazetarët gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare në luftë.”