Vendosni fjalën kyçe....

SHBA: Vetëm një e treta e arsenalit raketor iranian është shkatërruar


Shtetet e Bashkuara mund të konfirmojnë me siguri shkatërrimin e vetëm rreth një të tretës së arsenalit të madh raketor të Iranit, ndërsa lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Teheranit po i afrohet një muaji, bëjnë të ditur burime të inteligjencës amerikane.

Sipas pesë burimeve të njohura me vlerësimet, statusi i një tjetër të tretë të raketave mbetet i paqartë, por besohet se ato janë dëmtuar, shkatërruar ose janë varrosur në tunele dhe bunkerë nëntokësorë si pasojë e bombardimeve, shkruan Reuters.

Një nga burimet tha se një vlerësim i ngjashëm ekziston edhe për kapacitetet e dronëve të Iranit, ku rreth një e treta besohet se është shkatërruar me siguri.

Këto të dhëna tregojnë se, megjithëse një pjesë e madhe e arsenalit iranian është neutralizuar ose bërë e paarritshme, Teherani ende disponon një numër të konsiderueshëm raketash dhe mund të rikuperojë disa prej tyre pas përfundimit të luftimeve.

Ky vlerësim bie ndesh me deklaratat publike të Presidentit Donald Trump, i cili ka thënë se Irani ka mbetur me “shumë pak raketa”. Megjithatë, ai vetë ka pranuar rrezikun që paraqet edhe një pjesë e vogël e arsenalit të mbetur, duke theksuar se edhe 1% e raketave mund të shkaktojë dëme të mëdha ndaj anijeve të shtrenjta ushtarake.

Ndërkohë, administrata amerikane synon dobësimin e forcave ushtarake iraniane, përmes shkatërrimit të flotës detare, kapaciteteve raketore dhe atyre të dronëve, si dhe parandalimin e zhvillimit të armëve bërthamore. Komanda Qendrore e SHBA ka bërë të ditur se operacioni “Epic Fury” po ecën sipas planit, madje në disa aspekte edhe më shpejt.

Sipas të dhënave zyrtare, SHBA ka goditur mbi 10 mijë objektiva ushtarake iraniane dhe ka fundosur 92% të anijeve të mëdha të marinës iraniane. Megjithatë, Pentagoni nuk ka dhënë një shifër të saktë për shkatërrimin e kapaciteteve raketore dhe të dronëve.

Një nga vështirësitë kryesore mbetet fakti se nuk dihet saktësisht sa raketa kishte Irani para nisjes së luftës, pasi një pjesë e madhe e tyre ruhen në struktura nëntokësore. Vlerësimet variojnë nga rreth 2,500 sipas ushtrisë izraelite deri në 6,000 sipas disa analistëve.

Pavarësisht sulmeve intensive, Irani vazhdon të tregojë se ka ende kapacitete ushtarake. Vetëm të enjten, ai lëshoi 15 raketa balistike drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe 11 dronë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së këtij vendi. Gjithashtu, javën e kaluar, për herë të parë, Irani goditi me raketa me rreze të gjatë bazën ushtarake SHBA-Britani në Diego Garcia, në Oqeanin Indian.

Ekspertët vlerësojnë se ndikimi i sulmeve amerikane mund të jetë mbivlerësuar. Sipas Nicole Grajewski, studiuese e forcave raketore iraniane, fakti që Irani vijon të kryejë sulme tregon se kapacitetet e tij nuk janë shkatërruar në masën e pretenduar. Ajo vlerëson se Teherani mund të ketë ende rreth 30% të arsenalit të tij funksional.

Një tjetër zyrtar i lartë amerikan shprehu skepticizëm për mundësinë e një vlerësimi të saktë, duke theksuar se është e vështirë të dihet sa raketa ndodhen në tunele dhe sa prej tyre janë ende të përdorshme.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka pranuar sfidën që paraqet rrjeti i gjerë i tuneleve iraniane, duke theksuar se vendi ka investuar ndjeshëm në këto struktura për të fshehur armët. Megjithatë, ai deklaroi se ushtria amerikane po i ndjek këto objektiva “në mënyrë metodike dhe të pamëshirshme”.