Vendosni fjalën kyçe....

Senati i SHBA miraton financimin e Sigurisë Kombëtare, përjashtohet ICE


Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar për t’i dhënë fund një mbylljeje të pjesshme 40-ditore të qeverisë, duke miratuar financimin për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), por duke përjashtuar agjencinë e emigracionit ICE dhe pjesë të mbrojtjes kufitare.

Vendimi vjen pas gati gjashtë javësh ndërprerjeje financimi, që ka shkaktuar kaos në aeroportet amerikane. Punonjësit e sigurisë, të cilët paguhen nga DHS, kanë qenë pa paga që nga mesi i shkurtit, duke bërë që shumë prej tyre të mos paraqiten në punë ose të largohen plotësisht.

Demokratët kishin refuzuar një marrëveshje pa reforma për agjencinë e emigracionit ICE, ndërsa marrëveshja u arrit vetëm pasi kjo agjenci u përjashtua nga paketa. Tani projektligji pritet të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ndërkohë, kriza ka prekur rëndë aeroportet në të gjithë vendin, ku udhëtarët janë përballur me radhë të gjata për shkak të mungesës së punonjësve të Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA). Rreth 50 mijë punonjës të TSA kanë punuar pa pagesë, duke ulur ndjeshëm numrin e stafit në terren.

Pak orë para votimit, Presidenti Donald Trump deklaroi se do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për të paguar menjëherë punonjësit e TSA.

Pas votimit, lideri i shumicës në Senat, John Thune, akuzoi demokratët për situatën, duke thënë se refuzimi i tyre për marrëveshje çoi në një financim të pjesshëm të departamentit. Nga ana tjetër, lideri i pakicës, Chuck Schumer, theksoi se demokratët nuk mund të pranonin “një çek të bardhë për një ICE dhe patrullë kufitare pa ligj”.

Debatet janë intensifikuar pas incidenteve të fundit me agjentë të ICE, përfshirë dy vrasje në Minneapolis, që kanë rritur presionin për reforma në këtë agjenci. Demokratët kërkojnë masa si ndalimi i përdorimit të maskave nga agjentët, ndalimi i profilizimit racor dhe detyrimin për urdhra gjyqësorë para hyrjes në prona private.

Paketa e financimit synon të rikthejë funksionimin normal në aeroportet amerikane dhe të stabilizojë situatën, por miratimi përfundimtar varet nga votimi në Dhomën e Përfaqësuesve.