Vendosni fjalën kyçe....

“Kuvendi po përdoret për të shmangur kontrollin” – Bardhi akuza ndaj mazhorancës


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësime mbi funksionimin e demokracisë në vend, duke akuzuar shumicën parlamentare se po shmang kontrollin dhe po dobëson rolin e Kuvendit.

Deklaratat u bënë gjatë Tryezës së nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues”, organizuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri dhe Westminster Foundation for Democracy.

Në fjalën e tij, Bardhi theksoi se demokracia kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe institucione të forta, duke nënvizuar rolin kyç të Kuvendit si hapësirë debati dhe kontrolli ndaj qeverisë. Sipas tij, opozita nuk duhet parë si pengesë, por si një element i domosdoshëm për garantimin e balancës së pushteteve dhe mbrojtjen e interesit publik.

Ai ngriti shqetësimin se në praktikë ky rol po cenohet, duke përmendur kufizimin e debatit parlamentar, mungesën e transparencës dhe përdorimin e shumicës për të shmangur llogaridhënien.

Bardhi deklaroi se kërkesat e opozitës për informacion shpesh mbeten pa përgjigje, ndërsa interpelancat dhe pyetjet drejtuar kryeministrit apo anëtarëve të qeverisë refuzohen. Po ashtu, sipas tij, kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen në mënyrë të vazhdueshme.

Ai shtoi se edhe nismat ligjore të opozitës refuzohen pa u shqyrtuar, ndërkohë që në disa raste, sipas tij, të njëjtat propozime merren më pas nga qeveria apo shumica dhe miratohen.

Sipas Bardhit, këto praktika dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe rrezikojnë funksionimin normal të demokracisë në vend.

 

Postimi i plotë:

Gjatë fjalës time në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues” , të organizuar nga Ambasada Britanike dhe WMF për Demokraci, ndër të tjera theksova se:

Demokracia nuk është një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ajo është një proces që kërkon vigjilencë të përditshme, institucione të forta dhe mbi të gjitha vullnet politik për të respektuar rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Roli i Kuvendit të Shqipërisë është kyç në këtë drejtim. Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria, por një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje. Në këtë kuptim, opozita nuk është pengesë, por një komponent i domosdoshëm i një demokracie funksionale.

Një opozitë e fortë dhe e dëgjuar garanton balancën e pushteteve dhe mbron interesin publik.

Megjithatë, realiteti që përjetojmë shpesh na tregon se ky rol nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ushtruar. Sfida të tilla si kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv, dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucioni dhe cënojnë interesin publik.

Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisërefuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen.