Vendosni fjalën kyçe....

“Pse i trembet garës?”, Salianji – Berishës: Demokratët kërkojnë rregulla dhe votë


Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, lidhur me pretendimet për “vetëpërjashtimin” e tij nga gara për shkak të lidhjeve të aluduara me krimin.

Në reagimin e tij, Salianji thekson se këto pretendime do të sqarohen me kohën, por ngre disa pyetje thelbësore mbi funksionimin e demokracisë brenda partisë, duke kërkuar garë të hapur dhe votë të lirë për anëtarët.

Kush ka lidhje dhe me kë do kemi kohë e do i qartësojmë, por pyetjet mbeten; a do të ketë garë të hapur? A do të ketë votë të lirë për demokratët? Si do fitojë Partia Demokratike? Kur? A mbahet përgjegjësi për rezultatet dhe premtimet? A mundet një kandidat të përjashtojë kandidatin tjetër”, shprehet ai.

Salianji mohon të jetë vetëpërjashtuar, duke theksuar se vijon të jetë pjesë e Partisë Demokratike dhe se ka kontribuar në të, madje edhe duke përballuar pasoja që i cilëson si “burg politik”.

Ai akuzon drejtuesit e partisë se, në mungesë të një gare reale, “shpiken romane me ‘vetëpërjashtime’”, ndërsa thekson se çështja kryesore nuk është përjashtimi i individëve, por mungesa e konkurrencës së ndershme.

Problemi nuk është kush ‘përjashtohet’, por pse nuk lejohet gara… pse i trembet garës? Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët. Pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën”, deklaron Salianji.