Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 3 mijë tifozë kuqezi në Varshavë, shitet sektori shqiptar për ndeshjen me Poloninë



Në Varshavë, në këtë përballje me peshë historike, trajneri Sylvinho dhe të besuarit e tij do të kenë në krah mbi 3 mijë “zemra” kuqezi që do të mbështesin ekipin përfaqësues përballë Polonisë.

Ashtu siç e parashikon rregullorja, Federata Shqiptare e Futbollit kishte në dispozicion vetëm 5% të kapacitetit të stadiumit, që përkthehet në rreth 3 mijë bileta për tifozët shqiptarë. Përmes një reagimi për mediat, FSHF bëri të ditur se të gjitha biletat janë shitur:

“Të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët tanë për ndeshjen Poloni–Shqipëri janë shitur”, njofton FSHF.

Kjo ishte e pritshme, pasi vetëm në 24 orët e para nga dalja në shitje e biletave u regjistruan mbi 10 mijë aplikime. Duke marrë parasysh interesin e lartë, FSHF i kërkoi UEFA dhe Federata Polake e Futbollit shtim të numrit të biletave, por kjo kërkesë u refuzua në mënyrë kategorike.

Megjithatë, në një stadium me kapacitet prej rreth 58 mijë vendesh, pritet që numri i tifozëve shqiptarë të jetë më i lartë se 3 mijë, pasi shumë prej tyre mund të kenë siguruar bileta edhe në sektorët vendas.

Kjo transfertë konsiderohet delikate edhe për tifozët, pasi tifozeria polake njihet për episode të dhunshme, çka shton nevojën për masa të shtuara sigurie gjatë ndeshjes.