
Irani është ende duke rishikuar një propozim të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Gjirin Persik, pavarësisht një përgjigjeje fillestare që ishte negative, i tha një zyrtar i lartë iranian agjencisë Reuters të mërkurën, duke treguar se Teherani deri tani nuk ka arritur deri aty sa ta hedhë poshtë atë plotësisht.
Publikisht, zyrtarët iranianë e përbuzën mundësinë e çdo negocimi me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Por një vonesë e dukshme në dërgimin e një përgjigjeje zyrtare Pakistanit, i cili dorëzoi propozimin prej 15 pikash në emër të Uashingtonit, duket se sinjalizon se të paktën disa figura në Teheran mund të jenë duke e konsideruar atë.
Komentet e zyrtarit të lartë iranian se propozimi ishte ende në shqyrtim – megjithëse përgjigja fillestare ishte negative – duket se bien ndesh me një raport të televizionit iranian Press TV, i cili citonte një zyrtar të paidentifikuar të thoshte se Irani e kishte hedhur poshtë atë.
Hollësi nga pala pakistaneze:
Një zyrtar i lartë i sigurisë pakistaneze tha se Pakistani ka mbajtur kontakte me ministrin e jashtëm të Iranit dhe është ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare.
Një burim i dytë pakistanez u shpreh: “Iranianët na thanë se do të na kthejnë përgjigje sonte. Media po raporton se ata kanë thënë jo. Por ne nuk kemi marrë asnjë konfirmim zyrtar nga Irani. Kështu që thjesht po presim. Ata janë të gjithë në ilegalitet dhe komunikimi është një sfidë e madhe.”
Një tjetër zyrtar i lartë iranian kishte konfirmuar më herët se Teherani e kishte marrë propozimin dhe tha se bisedimet, nëse do vijonin, mund të mbaheshin ose në Pakistan ose në Turqi.