
Vladimir Putin është “shtytësi më i madh” i emigrimit drejt Europës për shkak të rolit të tij në nxitjen e konflikteve gjatë dekadës së fundit, tha një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian, ndërsa blloku përgatitet për një rritje të mundshme të numrit të personave që mund të largohen nga lufta në Lindjen e Mesme.
“Gjithmonë është Putini që është i përfshirë në këto lëvizje të mëdha migratore. Gjithmonë Vladimir Putin,” tha për Financial Times Komisioneri i BE-së për Emigracionin, Magnus Brunner.
Ai theksoi mbështetjen e presidentit rus për homologun e tij sirian, Bashar al-Assad, gjatë luftës civile që shpërtheu në vitin 2011. Lufta civile në Siri shkaktoi krizën e emigracionit në Europë gjatë viteve 2015-2016, kur mbi 2 milionë persona aplikuan për azil në kontinent. Përveç mbështetjes ushtarake, Putin lejoi gjithashtu që Assad të arratisej në Rusi në fund të vitit 2024, pasi regjimi i tij u rrëzua.
“Rrjedha e dytë e madhe migratore përbëhej nga ukrainasit që erdhën në Bashkimin Europian dhe përsëri Vladimir Putin ishte i përfshirë”, tha Brunner, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Rreth 4.3 milionë ukrainas kanë marrë mbrojtje të përkohshme në BE që nga ajo kohë.
Sa i përket luftës me Iranin, edhe pse ajo nuk është nisur nga Rusia, “Vladimir Putin po mbështeste regjimin atje”, tha Brunner.
“Pra ai është në fakt shtytësi më i madh i migrimit drejt Europës.”
Ndryshe nga viti 2015, kur ish-kancelarja gjermane Angela Merkel priti refugjatë nga Siria, vendet europiane tani synojnë të parandalojnë një rrjedhë të madhe refugjatësh si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, e shkaktuar nga sulmet SHBA-Izrael kundër Iranit.
Brunner tha se “tani për tani nuk shohim ndonjë rrjedhë nga Irani…por, sigurisht, duhet të jemi të kujdesshëm sepse gjendja mund të ndryshojë çdo ditë”.
Disa vende të BE-së, të udhëhequra nga Italia dhe Danimarka, kanë shtyrë për masa më të ashpra, përfshirë mbylljen e kufijve, për të parandaluar ardhjen e personave nga Lindja e Mesme dhe për të shmangur një gjendje të ngjashme me krizën siriane.
Në një letër të përbashkët, Mette Frederiksen dhe Giorgia Meloni paralajmëruan se “nuk mund të rrezikojmë një përsëritje të rrjedhës së refugjatëve dhe emigrantëve drejt BE-së që pamë gjatë viteve 2015-2016”.
Kryeministrat e Danimarkës dhe Italisë i bënë thirrje Komisionit Europian “të shqyrtojë mekanizma që mund të funksionojnë si një frenë emergjente, e cila mund të aktivizohet si forcë madhore në rast të lëvizjeve të papritura dhe masive migratore drejt Bashkimit”.
Kjo mund të përfshijë edhe mbylljen e kufijve të bllokut në rast kërcënimesh për sigurinë, tha një diplomat i BE-së. Vendet e BE-së e kanë bërë këtë edhe më parë, për shembull kur Rusia dhe Bjellorusia shtynë emigrantë drejt kufirit me Poloninë, shkruan FT.

Brunner tha se ai i merr “shumë seriozisht” kërkesa të tilla nga shtetet anëtare.
“Ne vërtet duhet ta shqyrtojmë këtë,” tha ai.
“Çfarë na kërkojnë shtetet anëtare të bëjmë, ne po e bëjmë.”
Organizata për të drejtat e njeriut si Amnesty International kanë kritikuar ashpër masat e marra nga Polonia vitin e kaluar për të pezulluar aplikimet për azil në kufirin me Bjellorusinë, duke argumentuar se kjo ishte “e paqëndrueshme dhe e papajtueshme me detyrimet e së drejtës ndërkombëtare”.
Brunner tha se BE-ja tani është “shumë më e përgatitur se sa ishim 10 vjet më parë”, duke përmendur procedurat e azilit që kryhen drejtpërdrejt në kufij dhe kontrollet e reja biometrike kufitare që po hyjnë gradualisht në fuqi.
Ai shtoi se nga 40 milionë shtetas jo të BE-së që janë regjistruar për të hyrë që nga fillimi i funksionimit të sistemit të hyrje-daljeve në tetor, rreth 19,000 janë refuzuar, përfshirë 500 që paraqisnin kërcënim për sigurinë.
“Jemi të vetëdijshëm për aspektin e emigracionit, por edhe për aspektin e sigurisë kur bëhet fjalë për sulme terroriste, duhet të jemi të përgatitur edhe për këtë,” tha Brunner.