
Përqendrimi i BE-së për të thyer varësinë e saj nga SHBA-ja në fushën e Inteligjencës Artificiale në favor të sovranitetit digjital mund të çojë në “katastrofë” për bllokun, i ka thënë Financial Times, kreu i Siemens, Roland Busch.
Komisioni Evropian planifikon të prezantojë një paketë të sovranitetit teknologjik në fund të majit, me qëllim zhvillimin e infrastrukturës cloud dhe sektorit të IA-së. Brukseli kërkon të ulë varësinë e bllokut nga zgjidhjet dhe shërbimet digjitale amerikane, mes tensioneve me Uashingtonin.
Në një intervistë të publikuar të martën, Busch thotë se BE-ja duhet, në vend të kësaj, të përdorë mjetet ekzistuese për të nxitur rritjen ekonomike paralelisht me ndërtimin e infrastrukturës së saj të IA-së.
“Nuk duhet të pengojmë shpejtësinë tonë të inovacionit për hatër të krijimit të sovranitetit,” tha Busch. “Kjo do të ishte një katastrofë.”
Ekzekutivi theksoi se blloku rrezikon të mbetet edhe më mbrapa në garën për zhvillimin e mjeteve të fuqishme të IA-së nëse nuk thjeshton rregulloret e tij. Busch paralajmëroi se vonimi i vendosjes së IA-së në Evropë për shkak të shqetësimeve të sigurisë ose rregullimit të tepërt do ngadalësonte rritjen, duke e quajtur këtë qasje të “keqllogaritur” krahasuar me atë të SHBA-së. Si rezultat, tha ai, ekonomia e SHBA-së është si një “lumë me rrjedhë të shpejtë” që përfaqëson teknologjinë, ndërsa ekosistemi teknologjik i Evropës ngjan me “moçalet”.
Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi sovranitetin teknologjik dhe infrastrukturën digjitale në fund të janarit, duke bërë thirrje për dhënien e përparësisë produkteve evropiane në prokurimet publike dhe duke propozuar mbështetje për ofruesit lokalë të cloud, shkruan RT.
Vitet e fundit, BE-ja ka miratuar gjithashtu ligje që rregullojnë sektorët digjitalë dhe atë të IA-së, duke përfshirë Aktin e IA-së, Aktin e Tregjeve Digjitale dhe Aktin e Shërbimeve Digjitale. Brukseli ka zgjeruar mbikëqyrjen e tij mbi transferimet e të dhënave, konkurrencën në cloud dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve përmes nismave si Akti Evropian i Çipave (European Chips Act).
Zyrtarët amerikanë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime se rregullat digjitale dhe ato të IA-së të BE-së mund të disavantazhojnë kompanitë amerikane. Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së ka paralajmëruar se masat diskriminuese sipas ligjeve ekzistuese mund të nxisin masa hakmarrëse, përfshirë tarifa ose kufizime mbi shërbimet evropiane, si dhe ka shprehur shqetësim për zbatueshmërinë e Aktit të IA-së jashtë Evropës.