
Kina po zhvillon një operacion të gjerë hartëzimi dhe monitorimi nënujore në oqeanet Paqësor, Indian dhe Arktik, duke ndërtuar njohuri të detajuara mbi kushtet detare që ekspertët e marinës thonë se do të ishin thelbësore për zhvillimin e luftës me nëndetëse kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Në një shembull konkret, Dong Fang Hong 3, një anije kërkimore e operuar nga Universiteti Oqeanik i Kinës, kaloi vitet 2024 dhe 2025 duke lundruar vazhdimisht në detet pranë Tajvanit dhe bazës së fortë amerikane në Guam, si dhe përgjatë zonave strategjike të Oqeanit Indian, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve të shqyrtuara nga Reuters.
Në tetor 2024, ajo kontrolloi një grup sensorësh të fuqishëm kinezë të oqeanit, të aftë për të identifikuar objekte nënujore pranë Japonisë, sipas Universitetit Oqeanik, dhe e vizitoi të njëjtën zonë përsëri në majin e kaluar. Ndërsa në mars 2025, anija përshkroi në mënyrë të përsëritur ujërat midis Sri Lankës dhe Indonezisë, duke mbuluar zonat hyrëse drejt Ngushticës së Malakës, një pikë kritike për tregtinë detare.

Sipas universitetit, anija po kryente studime mbi baltën detare dhe kërkime klimatike. Megjithatë, një punim shkencor i bashkautoruar nga akademikë të Universitetit Oqeanik tregon se ajo ka realizuar gjithashtu hartëzim të gjerë të thellësive të oqeanit.
Ekspertët e luftës detare dhe zyrtarët e Marinës amerikane thonë se lloji i të dhënave të thellësive detare që po mblidhen nga Dong Fang Hong 3 – përmes hartëzimit dhe vendosjes së sensorëve në oqean – i jep Kinës një pamje të kushteve nënujore që do t’i nevojiteshin për të vendosur nëndetëset e saj në mënyrë më efektive dhe për të gjurmuar ato të kundërshtarëve.
Dong Fang Hong 3 nuk operon i vetëm. Ai është pjesë e një operacioni më të gjerë hartëzimi dhe monitorimi të oqeanit që përfshin dhjetëra anije kërkimore dhe qindra sensorë. Për të gjurmuar këtë përpjekje, Reuters shqyrtoi dokumente të qeverisë dhe universiteteve kineze, përfshirë artikuj shkencorë dhe studime, si dhe analizoi më shumë se pesë vite lëvizjesh të 42 anijeve kërkimore aktive në oqeanet Paqësor, Indian dhe Arktik, duke përdorur një platformë gjurmimi anijesh të zhvilluar nga kompania nga Zelanda e Re, Starboard Maritime Intelligence.
Megjithëse kërkimi ka qëllime civile – disa nga sondazhet mbulojnë zona peshkimi ose rajone ku Kina ka kontrata për kërkime minerare – ai shërben gjithashtu për qëllime ushtarake, sipas nëntë ekspertëve të luftës detare që shqyrtuan gjetjet e Reuters.

Për të mbledhur informacion mbi terrenin nënujore, anijet kërkimore hartëzojnë fundin e detit duke lëvizur para dhe mbrapa në linja të ngushta. Të dhënat e gjurmimit tregojnë këtë lloj lëvizjeje në zona të gjera të oqeaneve Paqësor, Indian dhe Arktik nga anijet e analizuara nga Reuters.
Të paktën tetë nga anijet e ndjekura nga Reuters kanë kryer hartëzim të shtratit të detit, ndërsa 10 të tjera kanë transportuar pajisje të përdorura për hartëzim, sipas një analize të artikujve të mediave shtetërore kineze, përshkrimeve të anijeve të publikuara nga universitete kineze dhe njoftimeve për shtyp nga organizata qeveritare.
Të dhënat e mbledhura nga këto anije “do të ishin potencialisht jashtëzakonisht të vlefshme për përgatitjen e hapësirës së betejës” për nëndetëset kineze, tha Peter Scott, ish-shef i forcës së nëndetëseve të Australisë. “Çdo ushtarak nëndetar serioz i kushton shumë rëndësi kuptimit të mjedisit ku operon.”
Të dhënat e gjurmimit tregojnë se përpjekja e Kinës për studimin e shtratit të detit është e fokusuar pjesërisht në ujëra me rëndësi ushtarake rreth Filipineve, pranë Guam dhe Havait, si dhe afër objekteve ushtarake amerikane në atollet Wake në Paqësorin verior.
“Shkalla e asaj që po bëjnë tregon se bëhet fjalë për më shumë sesa vetëm burime,” tha Jennifer Parker, profesoreshë e asociuar e mbrojtjes dhe sigurisë në Universitetin e Australisë Perëndimore dhe ish-oficere e luftës kundër nëndetëseve. “Nëse shikon përmasat e kësaj përpjekjeje, është shumë e qartë se synojnë të kenë një marinë të aftë për operacione në oqeane të hapura, e cila mbështetet gjithashtu te operacionet me nëndetëse.”
Parker dhe ekspertë të tjerë shtuan se edhe kur të dhënat mblidhen për qëllime shkencore, integrimi i kërkimit civil me zhvillimin e teknologjisë ushtarake është bërë një fokus kyç i qeverisë kineze nën presidentin Xi Jinping. Pekini i referohet kësaj qasjeje si “bashkim civil-ushtarak”.
Ministritë kineze të mbrojtjes, punëve të jashtme dhe burimeve natyrore nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi aktivitetet e hartëzimit të shtratit të detit dhe monitorimit të oqeanit.
As Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters.

Në një dëshmi para një komisioni të Kongresit këtë muaj, admirali Mike Brookes, drejtues i Zyrës së Inteligjencës Detare të SHBA-së, tha se Kina ka zgjeruar ndjeshëm përpjekjet e saj të studimit, duke siguruar të dhëna që “mundësojnë navigimin e nëndetëseve, fshehjen e tyre dhe vendosjen e sensorëve ose armëve në shtratin e detit.” Ai shtoi se “mbledhja e mundshme e inteligjencës ushtarake” nga anijet kërkimore kineze “paraqet një shqetësim strategjik.”
Së fundmi, SHBA ka riorganizuar përpjekjet e veta për hartëzimin dhe monitorimin e oqeanit, por zakonisht e bën këtë me anije ushtarake që lejohen të çaktivizojnë sistemet e gjurmimit të monitoruara nga softuerë civilë. Edhe anijet civile kineze ndonjëherë e çaktivizojnë gjurmimin, çka do të thotë se fushata e tyre mund të jetë edhe më e gjerë nga sa mundi të përcaktonte Reuters.
Kjo është hera e parë që publikohet shkalla e plotë e hartëzimit dhe monitorimit nga Kina në oqeanet Paqësor, Indian dhe Arktik. Raportime të mëparshme kishin zbuluar vetëm një pjesë të përpjekjeve rreth Guam dhe Tajvanit, si dhe në disa zona të Oqeanit Indian.
“Është sinqerisht befasuese të shohësh përmasat e mëdha të kërkimit shkencor detar të Kinës,” tha Ryan Martinson, profesor i asociuar i specializuar në strategjinë detare kineze në Kolegjin Luftarak Detar të SHBA-së.
“Për dekada, Marina amerikane mund të supozonte një avantazh asimetrik në njohjen e hapësirës së betejës detare,” shtoi Martinson. Përpjekjet e Kinës “rrezikojnë ta gërryejnë këtë avantazh. Është qartësisht shqetësuese.”

“Të fiksuar nga ideja e rrethimit”
Të dhënat që anijet kërkimore kineze po mbledhin mbi shtratin e detit dhe kushtet e ujit janë thelbësore për operacionet me nëndetëse dhe luftën kundër nëndetëseve, sipas ekspertëve detarë. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, tha studiuesja australiane Parker, komandantët kanë nevojë për informacion mbi terrenin nënujore për të shmangur përplasjet dhe për të fshehur mjetet e tyre.
Por këto të dhëna janë gjithashtu thelbësore për zbulimin e nëndetëseve, të cilat operojnë disa qindra metra nën sipërfaqe. Zakonisht, nëndetëset identifikohen përmes tingujve që prodhojnë ose përmes jehonave të sinjaleve të dërguara nga sistemet sonar. Tom Shugart, ish-komandant i një nëndetëseje amerikane dhe tani studiues në Center for a New American Security, tha se lëvizja e valëve të zërit ndryshon në varësi të relievit nënujore.
Valët e zërit dhe lëvizjet e nëndetëseve ndikohen gjithashtu nga temperatura e ujit, kripësia dhe rrymat detare.
Anijet e përfshira i përkasin institucioneve shtetërore kineze si Ministria e Burimeve Natyrore ose institucione kërkimore të lidhura me shtetin si Universiteti Oqeanik i Kinës, presidenti i të cilit në vitin 2021 theksoi publikisht “lidhjet e ngushta” me marinën kineze dhe angazhimin për “ndërtimin e një fuqie detare dhe mbrojtjes kombëtare.”
Kina ka kryer studimin më të gjerë të oqeanit në lindje të Filipineve, të cilat ndodhen përgjatë të ashtuquajturit Zinxhiri i Parë i Ishujve, një varg territoresh kryesisht nën kontrollin e aleatëve të SHBA-së që shtrihet nga ishujt japonezë në veri, përmes Tajvanit dhe deri në Borneo në jug. Ky zinxhir formon një barrierë natyrore midis deteve bregdetare kineze dhe Paqësorit.
“Ata janë të fiksuar nga ideja se mund të bllokohen brenda Zinxhirit të Parë të Ishujve,” tha Peter Leavy, ish-atashe detar i Australisë në SHBA dhe aktualisht president i Institutit Detar Australian. Hartëzimi i Kinës “tregon një dëshirë për të kuptuar hapësirën detare në mënyrë që të mund të depërtojnë përtej saj.”
Të dhënat tregojnë se hartëzimi i Kinës mbulon edhe ujërat përreth Guam, ku janë të vendosura disa nëndetëse bërthamore amerikane.

Në mënyrë domethënëse, anijet kineze kanë hartëzuar gjithashtu ujërat rreth Havait, një tjetër qendër e rëndësishme ushtarake amerikane; kanë studiuar një kreshtë nënujore në veri të një baze detare në Papua Guinea e Re, ku SHBA së fundmi ka siguruar akses; dhe kanë kryer kërkime rreth Ishullit Christmas, territor australian përgjatë një rruge midis Detit të Kinës Jugore dhe një baze të rëndësishme australiane për nëndetëse.
Përpjekjet e Kinës shtrihen edhe më tej. Ajo ka hartëzuar zona të gjera të Oqeanit Indian, një rrugë kritike për importet kineze të naftës dhe burimeve të tjera nga Lindja e Mesme dhe Afrika.
“Kina ka disa dobësi të rëndësishme kur bëhet fjalë për varësinë nga tregtia detare,” tha Parker. Këto studime “tregojnë se ka gjasa që ajo të zhvillojë më shumë operacione me nëndetëse në Oqeanin Indian.”
Anijet kineze kanë hartëzuar gjithashtu shtratin e detit në perëndim dhe veri të Alaskës, një rrugë detare e rëndësishme drejt Arktikut. Pekini e ka identifikuar Arktikun si një front strategjik dhe ka deklaruar ambicien për t’u bërë një fuqi e madhe polare deri në vitet 2030.
Studimet e gjera dhe kapacitetet në rritje nënujore të Pekinit janë “simptomë e rritjes së Kinës si një fuqi kryesore detare,” tha Shugart.
Një “oqean transparent”
Rreth vitit 2014, Wu Lixin, një shkencëtar në Universitetin Oqeanik, propozoi një projekt ambicioz për krijimin e një “oqeani transparent”, duke vendosur sensorë që do t’i jepnin Kinës një pamje të plotë të kushteve dhe lëvizjeve të ujit në zona të caktuara, sipas një deklarate të Akademisë Kineze të Shkencave. Propozimi mori shpejt të paktën 85 milionë dollarë financim nga qeveria e provincës Shandong.
Projekti filloi në Detin e Kinës Jugore, ku Universiteti Oqeanik deklaron se tashmë ka ndërtuar një sistem vëzhgimi që mbulon basenin e thellë detar.
Hauai
Pas Guamit, Hauait është qendra më e rëndësishme ushtarake e Amerikës në Paqësor. Kohët e fundit, ujërat e saj aty pranë kanë tërhequr interes të konsiderueshëm kinez.

Brookes tha para komisionit të Kongresit se Kina po ndërton rrjete nënujore mbikëqyrjeje që “mbledhin të dhëna hidrografike – temperaturën e ujit, kripësinë, rrymat – për të optimizuar performancën e sonarëve dhe për të mundësuar mbikëqyrje të vazhdueshme të nëndetëseve që kalojnë në rrugë ujore kritike si Deti i Kinës Jugore.”
Oqani Indian dhe Deti Arabik
Kina varet nga nafta dhe burime të tjera që transportohen përmes Oqeanit Indian dhe Ngushticës së Malakës. Anijet e saj kërkimore mbledhin të dhëna që mund të ndihmojnë nëndetëset e saj të mbrojnë atë rrugë.

Pas studimeve në Detin e Kinës Jugore, shkencëtarët kinezë e zgjeruan projektin e oqeanit transparent në Paqësor dhe në Oqeanin Indian. Dokumentet tregojnë se Kina ka vendosur qindra sensorë, bova dhe struktura nënujore për të zbuluar ndryshime në temperaturë, kripësi dhe lëvizje nënujore në zona në lindje të Japonisë, lindje të Filipineve dhe rreth Guam.
Në Oqeanin Indian, dokumentet përshkruajnë një rrjet sensorësh që rrethon Indinë dhe Sri Lankën, përfshirë përgjatë kreshtës nënujore Ninety East Ridge, një nga vargmalet më të gjata nënujore në botë, e cila ndodhet në rrugën drejt Ngushticës së Malakës – një korridor jetik për furnizimin me naftë të Kinës.
Paqësori Perëndimor
Nëse Kina dhe SHBA-të shkojnë në luftë, Paqësori Perëndimor është vendi ku ekspertët e luftës detare thonë se betejat e nëndetëseve do të jenë më intensive.

Institucionet kërkimore kineze thonë se rrjeti i sensorëve tashmë i siguron Kinës të dhëna në kohë reale mbi kushtet e ujit dhe lëvizjet nënujore.
Disa ekspertë shprehën dyshime për këtë pretendim për shkak të sfidave teknike në transmetimin në kohë reale të të dhënave nën ujë. Megjithatë, edhe të dhënat me vonesë janë të vlefshme, pasi mund të ndihmojnë Kinën të zbulojë operacionet e nëndetëseve amerikane.
Shumë sensorë janë vendosur në zona të ndjeshme. Për shembull, studimet tregojnë se Kina ka vendosur sensorë të avancuar në disa pjesë të ngushticës midis Tajvanit dhe Filipineve, një rrugë që nëndetëset amerikane do të përdornin për të hyrë në Detin e Kinës Jugore.
Japonia
Në fund të vitit 2024, anija Dong Fang Hong 3 u nis nga një port kinez për të kontrolluar një sërë sensorësh të fuqishëm oqeanikë që ndodhen në bregdetin lindor të Japonisë. Është një nga disa anije kërkimore kineze që vizitojnë rregullisht zonën.

Shkencëtarët kinezë thonë se këta sensorë monitorojnë ndryshimet klimatike dhe kushtet e oqeanit. Por në vitin 2017, zyrtarë të provincës Shandong deklaruan se projekti i oqeanit transparent synonte të “siguronte mbrojtjen dhe sigurinë detare” dhe e krahasuan atë drejtpërdrejt me një projekt ushtarak amerikan për ndërtimin e një rrjeti sensorësh oqeanikë.
Wu, themeluesi i programit të hartëzimit, tani mbikëqyr rrjetin përmes Laboratorit Kombëtar të Qingdao për Shkencën dhe Teknologjinë Detare, partnerët e të cilit përfshijnë Akademinë e Nëndetëseve të Marinës kineze.

Kapacitete të reja luftarake
Së bashku, hartëzimi dhe monitorimi i Kinës i japin asaj mjete të avancuara për të zbuluar nëndetëset rivale dhe për të vendosur mjetet e saj në disa nga ujërat më të kontestuara në botë.
“Kjo është një shfaqje e aftësisë së Kinës për të operuar në dete të largëta,” tha Collin Koh, studiues i sigurisë detare në Institutin RSIS të Singaporit. “Tashmë ata kanë një pamje mjaft të qartë të hapësirës detare ku synojnë të operojnë, qoftë në kohë paqeje apo lufte.”
Edhe studiuesit kinezë shohin vlerë strategjike në këtë punë. Zhou Chun, një studiues që mbikëqyr rrjetet e sensorëve në Paqësor dhe Oqeanin Indian, u citua vitin e kaluar duke thënë se puna e tij kishte treguar “zhvillimin e shpejtë të kapaciteteve detare dhe ushtarake të vendit tim.”
Në të ardhmen, Zhou premtoi të “transformojë arritjet më të avancuara shkencore dhe teknologjike në lloje të reja kapacitetesh luftarake për forcat tona detare.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani