Vendosni fjalën kyçe....

Situata në Lindjen e Mesme shqetësuese, por ekonomia e Indisë mbetet e fortë, thotë kryeministri



Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, deklaroi se situata në Lindjen e Mesme është “shqetësuese”, por theksoi se ekonomia indiane ka bazamente të forta për të përballuar sfidat e krijuara nga konflikti, përcjell DW.

Duke folur në Parlament, Modi nënvizoi se lufta me Iranin po ndikon në tregjet globale dhe zinxhirët e furnizimit, veçanërisht për shkak të varësisë së Indisë nga rajoni për naftë dhe gaz, si dhe nga rrugë kyçe tregtare si Ngushtica e Hormuzit.

“Situata në Azinë Perëndimore është shqetësuese. Ky konflikt ka mbi tre javë që vijon,” u shpreh ai.

Megjithatë, Modi theksoi se qëndrueshmëria e ekonomisë indiane ka ofruar mbështetje të rëndësishme gjatë kësaj periudhe. Ai bëri të ditur se qeveria ka ndërmarrë masa për sigurimin e furnizimeve energjetike, përfshirë menaxhimin e kërkesës për gaz dhe ruajtjen e rezervave strategjike të naftës.

Kryeministri shtoi gjithashtu se India ka mundësuar kthimin e rreth 375 mijë qytetarëve që nga nisja e konfliktit, përfshirë rreth 1,000 nga Irani.

Modi theksoi se India mban marrëdhënie tregtare me të gjitha palët e përfshira dhe po angazhohet në rrugë diplomatike për një zgjidhje paqësore.

“Lufta nuk është në interes të njerëzimit. India po inkurajon të gjitha palët që ta përfundojnë atë në mënyrë paqësore,” u shpreh ai, duke shtuar se sulmet ndaj anijeve tregtare dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit janë të papranueshme.