Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë protestës së opozitës.
Gjatë vizitës, Lamallari dënoi ashpër dhunën ndaj efektivëve, duke theksuar se përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme ndaj policëve në krye të detyrës është i papranueshëm.
“Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme,” u shpreh ai, duke shtuar se Policia e Shtetit ishte në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve.
Ministri ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë manipulimi dhe shfrytëzimi. Sipas tij, përdorimi i fëmijëve për të ndezur molotovë apo për të hedhur fishekzjarre ndaj institucioneve përbën shkelje të rëndë ligjore dhe përgjegjësi penale për ata që i nxisin.
“Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve,” theksoi Lamallari.
Ai paralajmëroi se autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi, ndërsa shtoi se institucionet do të vijojnë të qëndrojnë të vendosura në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.