
Pas Italisë, edhe Greqia ka vendosur masa për të lehtësuar qytetarët për shkak të rritjes së çmimit të karburantëve pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se paketa e ndihmës, me vlerë 300 mijë euro për dy muaj, përfshin katër masa kryesore: subvencion për karburantin, Kartë Dixhitale Karburanti, subvencion për plehrat bujqësore dhe kompensim për kompanitë e trageteve me ulje të detyrueshme të çmimeve.
Masat e vendosura janë:
- Subvencion për karburantin dizel: ulje prej 16 cent/litër në rrjetin e shpërndarjes, që përfshin një përfitim prej 20 cent/litër në çmimin përfundimtar me TVSH.
- Kartë Dixhitale Karburanti: për të mbështetur rritjen e çmimit të benzinës; do të përdoret në stacionet e karburantit, transportin publik dhe taksitë, me mbështetje mesatare 36 cent/litër për konsum mesatar mujor prej 70 litrash.
- Subvencion për fermerët: 15% e shpenzimeve për blerjen e plehrave do të kompensohet, për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimeve në bujqësi.
- Kompensim për kompanitë e trageteve: i lidhur me ulje të detyrueshme të çmimeve të biletave për të mbajtur çmimet në nivelet e vitit të kaluar.
“Qeveria mbetet dhe do të mbetet në krah të çdo qytetari grek,” deklaroi Mitsotakis, duke theksuar rëndësinë e masave për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve të karburantit.