Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me raketa nga Irani drejt Izraelit, aktivizohen sirenat në disa qytete



Dy raketa të lëshuara nga Irani kanë goditur mëngjesin e së dielës territorin e Izraelit, duke shkaktuar alarm në zona të gjera të vendit dhe duke përshkallëzuar më tej tensionet në rajon, përcjell ynetglobal.

Sipas ushtrisë izraelite, sirenat e alarmit janë aktivizuar në dhjetëra zona, përfshirë rajonin e Tel Avivit, Jerusalemin dhe pjesë të jugut të vendit, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë vënë në veprim.

Raportohet se fragmente nga raketat kanë rënë në disa zona të banuara, duke shkaktuar dëme materiale. Në qytetin Holon, mbetje shpërthyese goditën një zonë pranë një shkolle, ndërsa dëmtime u raportuan edhe në rrugë dhe automjete në zona të tjera.

Autoritetet bënë të ditur se fillimisht nuk ka raportime për viktima nga këto sulme, ndërsa forcat e emergjencës janë dislokuar në vendngjarje.

Ndërkohë, në veri të vendit është raportuar edhe një goditje direkte pranë kufirit me Libanin, ku një person ka humbur jetën dhe disa automjete janë përfshirë nga flakët.

Sulmet vijnë në një moment përshkallëzimi të konfliktit, ndërsa ushtria izraelite ka vijuar goditjet ndaj objektivave në Teheran dhe zona të tjera strategjike.

Situata mbetet e tensionuar, me autoritetet që u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në zona të mbrojtura dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë.