Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Studentet kineze flasin shqip në mënyrë perfekte



Kryeministri Edi Rama ka pritur në podkastin e tij “Flasim” disa studente nga Kina që studiojnë gjuhën shqipe dhe janë të angazhuara në marrëdhëniet me Shqipërinë.

Gjatë bisedës, Rama u shpreh i impresionuar nga niveli i lartë i zotërimit të shqipes nga ana e tyre, duke theksuar se katër prej studenteve mbajnë edhe emra shqiptarë si Lira, Adriana, Rita dhe Etleva.

Ai solli si shembull edhe komunikimet zyrtare të ambasadës kineze në Shqipëri, të cilat, sipas tij, janë të shkruara në një shqipe të saktë dhe pa gabime.

“Kam kërkuar gabime në këto letra dhe nuk kam gjetur asnjë,” u shpreh Rama, duke vlerësuar profesionalizmin e përkthyesve dhe studentëve kinezë.

Një nga të ftuarat, e cila shërben si atashe në ambasadën e Kinës në Tiranë, tregoi se në qytetin e saj në Kinë operojnë edhe biznese shqiptare, duke reflektuar lidhjet në rritje mes dy vendeve.

Rama përmendi gjithashtu përvojat e tij në Kinë, ku është shoqëruar nga përkthyes kinezë që flasin rrjedhshëm shqip, ndërsa theksoi se interesi për gjuhën shqipe po rritet.

Sipas tij, në Universitetin e Pekinit aktualisht studiojnë rreth 15 studentë të gjuhës shqipe, çka tregon një interes në rritje për kulturën dhe gjuhën shqiptare.