
Deputeti i PD, Belind Këlliçi në një reagim në rrjetin social facebook u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës që mbahet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Ai theksoi se rritja e çmimeve, veçanërisht e naftës, si dhe korrupsioni dhe kostot e larta të jetesës janë arsye kryesore për reagim qytetar.
Postimi i plotë
Secili ka arsyet e motivet e përditshme për të protestuar, për koston e jetës, për varfërinë, për padrejtësitë, për korrupsionin qeveritar që tanimë mbrohet me votë në Kuvend.
Edhe sot disa orë para bashkimit tonë në shesh, Edi Rama u dha qytetarëve një tjetër nxitje për revoltë.
Çmimi i naftës ka kaluar 2 mijë lekë, madje është 2 mijë e 140 lekë dhe ai e quajti këtë një kërcim të vogël.
Edi Rama nuk e ka problem se preket ekonomia e xhepi i njerëzve.
Nga këto kërcime, ai pasurohet sepse më shumë para shkojnë në arkën e qeverisë të cilën e përdor si qesen personale.
Qeverisja e tij, çdo ditë e tij në karrige, janë një ftesë për t’u ngritur, për rezistencë.
Takohemi sot në orën 18:00, para Kryeministrisë!