
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar nivelin e përfaqësimit të grave në Partinë Socialiste, duke e cilësuar të pamjaftueshëm faktin që ai ka arritur në 34%.
Në fjalën e tij në Asamble, Rama theksoi se gratë kanë një rol kyç në suksesin e PS dhe kërkoi që përfaqësimi i tyre të rritet në 50%, duke e konsideruar këtë si një objektiv të domosdoshëm dhe të arritshëm.
“E pafalshme që shifrat e grave në PS të jetë vetëm 34% që sekretari i përgjithshëm e quajti sukses që u rritëm nga 26% në 34%.
Nëse ne jemi në pushtet, jemi nga gratë. E kuptuan edhe ata në Dibër. Pavarësisht se çfarë u tha kur unë atyre u thash se kush nuk dëgjon gruan kur voton është çyryk, ata treguan që nuk janë, ndërkohë ata tjerët që i sulmuan dhe i thanë mos i dëgjoni gratë se iu quajti çyryk, thanë jo jo, se atëherë jemi çyryk.
Ne duhet ta çojmë në 50% dhe kjo çohet shumë thjeshtë, duke mos e pranuar që nuk ka gra dhe duke i imponuar të njëjtin numër një organizate ku një burrë i suksesshëm me vota nuk pranon që mund të këtë 50% gra.
Duke ia vënë mu përballë 50% e grave në formën e një organizate tjetër. duhet ta kapërcejmë këtë shifër me çdo kusht dhe duhet ta kapërcejmë tani, kemi organizata ku ka vetëm 1 burrë dhe nuk ka një bashkëkryetare. Kjo është e papranueshme duhet të mos e lejojmë”, tha Rama.