
Vajza e liderit të Koresë së Veriut, Kim Ju-ae, u shfaq duke drejtuar një tank gjatë stërvitjeve ushtarake në shkallë të gjerë, ndërsa babai i saj, Kim Jong-un, qëndronte mbi mjetin, sipas pamjeve të publikuara nga Korean Central News Agency (KCNA).
Kim mbikëqyri një ushtrim ofensiv që demonstronte avancime të përbashkëta të këmbësorisë dhe njësive të blinduara, duke theksuar fokusin në gatishmërinë luftarake, raportoi KCNA.
Pamjet tregojnë Kim Ju-ae, që besohet të jetë rreth 13 vjeçe, me kokën jashtë kapakut të shoferit të një tanku në lëvizje, ndërsa babai i saj qëndronte sipër së bashku me ushtarë. Vëzhguesit vlerësuan se pozicioni i saj sugjeron se ajo po e operonte vetë mjetin.
Stërvitjet përfshinin njësi të forcave speciale, elementë të blinduar nga rezerva operacionale e shtabit të përgjithshëm dhe një kompani tankesh nga një regjiment kalorësie.
Sipas KCNA-së, në to u zhvillua edhe një sulm demonstrues nga një kompani tankesh e pajisur me modele të fundit të këtyre mjeteve.
Kim Jong-un vlerësoi performancën luftarake të tankut të ri si “të shkëlqyer” dhe tha se zhvillimi i tij kishte zgjatur rreth shtatë vjet, duke shtuar se forcat tokësore do të pajisen gjerësisht me këto mjete.
Këto stërvitje zhvillohen në një kohë kur vijojnë ushtrimet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat Pheniani i ka dënuar vazhdimisht si prova për një pushtim të mundshëm, shkruan Rt.