Vendosni fjalën kyçe....

Qyteti brazilian provon lëndën e re djegëse organike që mund të zëvendësojë naftën


Ndërsa zgjerimi i konfliktit në Lindjen e Mesme trondit tregjet globale të energjisë, një qytet në jug të Brazilit po planifikon të vërë në punë një pjesë më të madhe të flotës së tij komunale me një bio-karburant inovativ vendas, i projektuar për të zëvendësuar plotësisht naftën (dizelin).

I ndodhur mes fushave të gjera me sojë në shtetin e Rio Grande do Sul, qyteti i Passo Fundo po vendos në përdorim një alternativë të naftës për flotën e tij komunale, të prodhuar nga lëndë të para që përfshijnë sojën, yndyrat shtazore dhe vajrat e përdorur.

Ndërsa biodizeli tradicional në Brazil përzihet me naftën me bazë nafte në raportin 15%, karburanti i ri është projektuar për të zëvendësuar plotësisht lëndën djegëse fosile në çdo automjet që punon me naftë, duke shkurtuar emetimet e karbonit dhe duke reduktuar potencialisht kostot.

Be8, një nga firmat më të mëdha të biodizelit në Brazil, mori miratimin rregullator në fund të vitit 2024 për të filluar prodhimin e karburantit të ri, të quajtur BeVant, në Passo Fundo, duke synuar fillimisht prodhimin e 28 milionë litrave (7.4 milionë galonë) në vit.

BeVant është një karburant i tipit “drop-in” (zëvendësues i drejtpërdrejtë) dhe mund të përdoret në motorët e zakonshëm të naftës pa pasur nevojë për modifikime, deklaroi kompania Be8.

Me rritjen e çmimeve të naftës bruto për shkak të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, duke nxitur frikën për mungesë të naftës në Brazil, kryebashkiaku i Passo Fundo, Pedro Almeida, tha se karburanti i ri ka sjellë një lloj qetësie.

“Kur flasim për këto konflikte… dhe kur kemi në dispozicion një karburant alternativ si BeVant, kjo përfaqëson, pa dyshim, një potencial konkurrues shumë të madh,” tha Almeida.

As zyra e kryebashkiakut dhe as Be8 nuk komentuan mbi koston aktuale për litër të BeVant, por kompania tha se ai ishte rreth 15% më i shtrenjtë se biodizeli dhe shumë më i lirë se konkurrenti i tij i drejtpërdrejtë, HVO, ose “dizeli i gjelbër”.

Korrje Rekord

Edhe pse kontrata fillestare për BeVant përfaqësonte një çmim më të lartë se nafta tradicionale, zyra e kryebashkiakut është besimplote se çmimet do të ulen dhe pret ta përdorë BeVant më gjerësisht në pjesën tjetër të flotës në të ardhmen.

“Jam i sigurt se karburanti do të fillojë të bëhet më i lirë me rritjen e prodhimit, me më shumë vëllim dhe një treg më të madh,” tha Almeida.

Kur të përfundojë faza e parë e implementimit, 17 automjete të Passo Fundo – duke përfshirë kamionë, fadroma dhe një autobus të vogël – do të furnizohen me BeVant, duke kërkuar rreth 10,000 litra në muaj.

Brazili, i cili importon rreth një të katërtën e naftës që konsumon, është në rrugë të mbarë për një korrje rekord të sojës këtë vit, gjë që po shtyn prodhuesit e biodizelit t’i kërkojnë qeverisë lejimin e përqindjeve më të larta të përzierjes.

“Ne po vëmë bast shumë te BeVant për rritjen e kompanisë në Brazil dhe jashtë saj,” tha për Reuters CEO i Be8, Erasmo Carlos Battistella, duke shtuar se kompania është në bisedime me biznese që kërkojnë të ulin emetimet e tyre neto të karbonit.

Përveç Passo Fundo, BeVant po përdoret edhe në një garë popullore kamionësh në Brazil, Copa Truck, si dhe nga firmat logjistike dhe flotat e autobusëve bashkiakë, shkruan Reuters.