Vendosni fjalën kyçe....

Pogradec/ Tentativë grabitjeje në një argjendari, pronari: E kanë sulmuar disa herë



Një tentativë grabitjeje është regjistruar në orët e para të mëngjesit në një argjendari në qytetin e Pogradecit.

Pronari i biznesit, Lytfi Alia, ka deklaruar se tre persona të maskuar kanë tentuar të hapin dyqanin duke përdorur një kriko makine, por janë larguar menjëherë pasi është aktivizuar sistemi i alarmit, pa arritur të marrin asgjë.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që argjendaria bëhet objekt sulmi. Ai tregon se biznesi i tij është grabitur disa herë më parë, duke pësuar dëme të konsiderueshme që arrijnë mbi 15 mijë euro, ndërsa autorët nuk janë identifikuar.

“Në orën 03:30 është hapur dyqani me kriko, ra alarmi dhe u larguan. Nuk kanë marrë asgjë. Dyqani im është vjedhur disa herë dhe autorët nuk janë kapur. Shpresoj që këtë herë policia t’i identifikojë”, u shpreh ai.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar tre autorët, të cilët ishin të maskuar, ndërsa policia ka kryer veprimet procedurale dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.