Vendosni fjalën kyçe....

Media e njohur amerikane shkurton dhjetëra punonjës, mbyll edhe radion


CBS News po pushon nga puna rreth 6% të stafit të tij dhe po mbyll divizionin CBS News Radio, në një lëvizje që shënon fillimin e një ristrukturimi të thellë të drejtuar nga Bari Weiss.

Divizioni i lajmeve ka aktualisht rreth 1,100 punonjës, çka do të thotë se dhjetëra persona do të largohen si rezultat i shkurtimeve të njoftuara të premten.

Kjo është vala e dytë e pushimeve nga puna në CBS News që prej momentit kur David Ellison mori kontrollin e Paramount verën e kaluar. Mbyllja e radios përfaqëson gjithashtu fundin e një epoke, pasi CBS News Radio ka një histori 99-vjeçare në transmetimin e lajmeve të fundit.

“CBS News Radio ka shërbyer si themel për gjithçka që kemi ndërtuar që nga viti 1927,” pranuan në një memo drejtuar stafit kryeredaktorja Bari Weiss dhe presidenti Tom Cibrowski. Megjithatë, ata shtuan se “ndryshimet në strategjitë e programeve të radiove dhe realitetet e vështira ekonomike e kanë bërë të pamundur vazhdimin e këtij shërbimi.”

Rrjeti radiofonik do të ndalojë transmetimet më 22 maj, duke i lënë rreth 700 stacioneve partnere rreth dy muaj kohë për të gjetur alternativa.

Mbyllja e radios dhe pushimet nga puna vijnë në një moment ndryshimesh të mëdha për CBS News, me transformime të tjera që priten në muajt në vijim.

Paramount është në pritje të miratimit rregullator për marrëveshjen e saj për të blerë Warner Bros. Disovery, që përfshin edhe CNN. Kjo mund të çojë në një bashkim të mundshëm të ardhshëm mes CNN dhe CBS News. Megjithatë, sipas burimeve brenda CBS, kjo mundësi nuk ka ndikuar në vendimet për pushimet aktuale nga puna.

Miratimi rregullator për marrëveshjen Paramount–Warner Bros. Discovery pritet të marrë të paktën gjashtë muaj, dhe deri atëherë kompanitë duhet të operojnë të ndara ligjërisht.

Në një memo të parë, Weiss dhe Cibrowski theksuan se ndryshimet janë të domosdoshme: “Nuk është sekret që industria e lajmeve po ndryshon rrënjësisht dhe ne duhet të ndryshojmë bashkë me të. Audienca të reja po shfaqen në platforma të reja dhe ne po ecim përpara me plane ambicioze për t’u zgjeruar dhe investuar.”

“Kjo do të thotë se disa pjesë të redaksisë duhet të tkurren për t’i hapur rrugë zhvillimeve të reja që na duhen për të mbetur konkurrues,” shtuan ata.

Weiss, bashkëthemeluese e platformës The Free Press, u vendos në krye të CBS News në tetor të kaluar nga Ellison me një mandat për të rikthyer besimin dhe audiencën.

Ndërsa një valë e mëparshme pushimesh nga puna ndodhi rreth kohës së emërimit të saj, shkurtimet e së premtes reflektojnë më drejtpërdrejt vizionin e saj për transformimin e organizatës.

Sipas burimeve, pas ardhjes në CBS, Weiss u befasua nga vjetërsia e disa operacioneve dhe nga morali i ulët i stafit, si dhe nga rezistenca ndaj ndryshimit në disa sektorë të organizatës. Ristrukturimi i stafit vjen pjesërisht si pasojë e këtyre vlerësimeve.

Në memo thuhej se punonjësit e prekur do të njoftohen brenda ditës dhe se kompania do t’i trajtojë “me kujdes dhe respekt”, duke pranuar gjithashtu se cikli aktual i lajmeve është “jashtëzakonisht intensiv”.

Një memo e dytë, e fokusuar te radio, theksonte se javët në vijim do të jenë të vështira për punonjësit, pasi ata do të vazhdojnë të mbajnë rrjetin në transmetim deri në maj, ndërkohë që janë në dijeni se vendet e tyre të punës do të mbyllen.

Sipas një burimi të njohur me situatën, Weiss kishte kërkuar mënyra për të shpëtuar rrjetin radiofonik, por “realiteti financiar e bëri të pamundur”, pasi të ardhurat ishin minimale, shkruan CNN.

Ndryshime të tjera në CBS News priten në muajt e ardhshëm, veçanërisht me përfundimin e kontratave të disa figurave të njohura të ekranit.