Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Gjermania 35-vjeçari i akuzuar për mashtrime në call center


Një 35-vjeçar është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Wiesbaden.

Ai akuzohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që, përmes një call center-i, ka mashtruar qytetarë duke u shkaktuar rreth 187 mijë euro dëm. Sipas hetimeve, grupi ka kryer 17 raste dhe tentativa mashtrimi kompjuterik.

Njoftimi:

Interpol Tirana

Finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.

Pjesëtar i një grupi kriminal që nëpërmjet mashtrimit në call center, iu shkaktoi qytetarëve, rreth 187 000 euro dëm, ekstradohet nga Gjermania, 35-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Wiesbaden, në vijim të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Gjermania në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. L., 35 vjeç, të lindur në Tropojë.

Në muajin korrik 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kruer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të disa shtetasve.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. L. dhe shtetas të tjerë, të organizuar si grup, nëpërmjet një call center-i të zbuluar në vitin 2024, kanë kryer 17 raste/tentativa të mashtrimit kompjuterik.