Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku nga Bundestagu: Integrimi europian kërkon rezultate konkrete, jo retorikë politike


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video nga ambientet e Bundestagut gjerman, ku prezanton një seri takimesh me deputetë dhe zyrtarë të lartë gjermanë, të fokusuar në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në një moment kyç për vendin në rrugën drejt Bashkimit Europian, Tabaku thekson se Gjermania mbetet një nga mbështetësit kryesorë të këtij procesi, por njëkohësisht kërkon standarde të qarta, zbatim real të ligjeve dhe rezultate konkrete në praktikë – jo thjesht miratim formal në letër.

Sipas saj, integrimi europian është i vetmi proces transformues që mund të ndryshojë rrënjësisht Shqipërinë dhe të garantojë ndërtimin e një shteti funksional dhe demokratik. Në këtë kuadër, ajo nënvizon rolin e opozitës si garantuese e standardeve europiane, duke theksuar se angazhimi i saj nuk është për interesa politike afatshkurtra, por për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

Tabaku shprehet se shqiptarët presin sot një proces integrimi me rezultate të prekshme, ndërsa paralajmëron se pengesat ndaj këtij procesi lidhen drejtpërdrejt me mungesën e vullnetit politik nga ana e mazhorancës për të zbatuar reformat e nevojshme.

Ajo thekson se ka ardhur koha që Shqipëria të kalojë nga retorika në veprim konkret, duke lënë pas qasjet e vjetra dhe duke përqafuar standardet europiane si pjesë të përditshme të qeverisjes.