
Finlanda është renditur edhe këtë vit si vendi më i lumtur në botë, sipas Raportit Botëror të Lumturisë 2026, ndërsa përdorimi i lartë i rrjeteve sociale po ndikon negativisht në mirëqenien e të rinjve në shumë vende të zhvilluara.
Raporti, i përgatitur nga Qendra për Kërkime mbi Mirëqenien në Universitetin e Oksfordit, në bashkëpunim me Gallup dhe Kombet e Bashkuara, tregon se kënaqësia me jetën te personat nën 25 vjeç ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. Studimi bazohet në anketa me rreth 100 mijë persona në 140 shtete.
Sipas gjetjeve, përdorimi intensiv i rrjeteve sociale lidhet drejtpërdrejt me rënien e mirëqenies, veçanërisht te vajzat adoleshente në vendet anglishtfolëse dhe në Evropën Perëndimore. Studiuesit theksojnë se përdorimi për më shumë se shtatë orë në ditë shoqërohet me nivele më të ulëta mirëqenieje, sidomos për shkak të platformave të drejtuara nga algoritmet dhe përmbajtjes së fokusuar te imazhi dhe influencerët, përcjell DW.
Madje, raporti vëren se shumica e studentëve universitarë në SHBA do të preferonin që rrjetet sociale të mos ekzistonin, duke i përdorur ato kryesisht për shkak të presionit social. Megjithatë, përdorimi i moderuar – më pak se një orë në ditë – lidhet me nivele më të larta mirëqenieje krahasuar me ata që nuk i përdorin fare.
Në renditjen globale, Finlanda mban vendin e parë për të nëntin vit radhazi, e ndjekur nga Islanda, Danimarka, Kosta Rika dhe Suedia. Dominimi i vendeve nordike i atribuohet nivelit të lartë të mirëqenies ekonomike, barazisë sociale, sistemeve të forta të mirëqenies dhe jetëgjatësisë së lartë.
Nga ana tjetër, Afganistani mbetet vendi më pak i lumtur në botë, i ndjekur nga Sierra Leone dhe Malavi.
Raporti thekson gjithashtu se lidhjet e forta familjare dhe shoqërore, si në rastin e Kosta Rikës, mund të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e nivelit të lumturisë, përtej faktorëve ekonomikë.