Vendosni fjalën kyçe....

Reforma territoriale, Demo: E hapur për opozitën, duhet përfshirje e të gjitha palëve


Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se reforma territoriale duhet të realizohet me përfshirjen e të gjitha palëve politike, duke theksuar se mazhoranca mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Demo bëri të ditur se Komisioni i Posaçëm për reformën territoriale vijon punën dhe pritet që në javët në vijim të zhvillohen takime me aktorë të ndryshëm.

“Komisioni i posaçëm është mbledhur edhe gjatë kësaj jave dhe në javën tjetër do të nisin takimet me të ftuarit e parë, mes të cilëve do të jem edhe unë. Komisioni ka gjithë kohën për të bërë punën dhe jam besimplotë që do të ecë përpara”, u shpreh ai.

Ministri theksoi se, edhe pse mazhoranca ka përgjegjësinë për të çuar përpara reformat, synimi është që kjo reformë të mos jetë e njëanshme.

“Mazhoranca ka përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje dhe për të çuar përpara reformat, por jemi shumë të hapur që të jetë një reformë që përfshin të gjitha palët”, deklaroi Demo.

Ai foli gjithashtu edhe për ecurinë e “Paketës së Maleve”, duke theksuar se procesi po avancon me ritme të shpejta dhe në disa bashki janë gati procedurat për trajtimin e kërkesave.