
Një oficer i Policisë Gjyqësore është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi dyshohet se ka penguar zbardhjen e një ngjarjeje.
Admir Elezi dyshohet se gjatë prangosjes së një personi, ka fsheshur një shkop metalik që iu gjet të ndaluarit.
Dyshohet se veprimi është kryer në mënyrë që të ndaluarit të mos i rëndohej akuza.
Njoftimi i AMP-së
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë N/Komisar A. E., me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga nenet 248 dhe 301 i Kodit Penal.
Ndalimi i tij u bë i mundur pasi në datën 10.03.2026 ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit H.SH, të cilit gjatë kontrollit teknik iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik i dyshuar si armë e ftohtë.
Gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale të administrimit të sendit, punonjësi i policisë nuk ka vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës duke ndikuar në tjetërsimin e provave.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511 Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.