
Departamenti i Drejtësisë në SHBA i ka dërguar një fletëthirrje zyrtare ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, si pjesë e një hetimi për të përcaktuar nëse ish-zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës kanë zhvilluar një komplot disavjeçar kundër presidentit Donald Trump, sipas burimeve të njohura me çështjen.
Thirrja nga juria e madhe është lëshuar javën e kaluar nga zyra e prokurorit federal për Distriktin Jugor të Floridës, sipas këtyre burimeve, të cilat kërkuan të mbeten anonime për shkak të natyrës së vazhdueshme të hetimit.
Dokumenti kërkon informacion mbi rolin e Comey-t në përgatitjen e një vlerësimi të inteligjencës lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Zyra e prokurorit ka dërguar më parë thirrje edhe për ish-zyrtarë të tjerë amerikanë. Hetimi në fjalë është i gjerë dhe synon të zbulojë nëse ish-zyrtarë të SHBA-ve kanë ndërmarrë veprime për të sabotuar Trump-in që nga viti 2016, deri në padinë ndaj tij në vitin 2023 lidhur me trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.
Thirrja e re, e raportuar fillimisht nga Axios, përfaqëson një përshkallëzim të përpjekjeve të Departamentit të Drejtësisë që fokusohen veçanërisht te Comey, për të cilin Trump ka kërkuar vazhdimisht hetim.
Më herët, Comey ishte paditur nga një juri e madhe me kërkesë të prokurorit federal për Distriktin Lindor të Virxhinias, nën akuzën se kishte gënjyer senatorët gjatë një seance dëgjimore në Kongres — një pretendim që ai e ka mohuar. Aktakuza u rrëzua pasi një gjyqtar federal vendosi se prokurori ishte emëruar në mënyrë të paligjshme. Departamenti i Drejtësisë ka apeluar këtë vendim.
Avokati i Comey-t refuzoi të komentojë të enjten, ndërsa zyra e prokurorit në Majami nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Marrëdhënia mes Trump dhe Comey ka qenë e tensionuar prej kohësh. Trump e shkarkoi Comey-n nga posti i drejtorit të FBI-së në vitin 2017, gjatë mandatit të tij të parë si president. Që atëherë, të dy kanë shkëmbyer kritika publike ndaj njëri-tjetrit, shkruan Bloomberg.