Irani ka goditur një impiant të kompanisë Saudi Aramco në qytetin portual Yanbu, në Detin e Kuq, në një tjetër sulm hakmarrës ndaj shteteve të Gjirit, mes përshkallëzimit të konfliktit rajonal.
Sipas burimeve saudite, sulmi ka shkaktuar dëme relativisht të kufizuara, por konsiderohet pjesë e një serie goditjesh të Iranit ndaj infrastrukturës energjetike në rajon, përfshirë objektiva në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përcjell Ynet.
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan, reagoi ashpër, duke deklaruar se çdo besim i mbetur në marrëdhëniet me Teheranin është “shkatërruar plotësisht”.
Ai paralajmëroi se vendi i tij rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur Iranit me mjete diplomatike dhe ushtarake.
“Përshkallëzimi do të përballet me përshkallëzim”, u shpreh ai, duke shtuar se Irani po thellon izolimin e tij ndërkombëtar përmes veprimeve armiqësore.
Sulmi vjen pasi Irani kishte paralajmëruar goditje ndaj objekteve energjetike në rajon, në përgjigje të sulmeve izraelite ndaj impianteve të tij petrokimike.
Ndërkohë, tensionet janë përshkallëzuar edhe për shkak të situatës në Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës, që sipas zyrtarëve saudite është bllokuar në mënyrë efektive nga Irani.
Shtetet e Gjirit kanë kërkuar një mbledhje urgjente të Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Gjenevë, duke e cilësuar situatën si një kërcënim serioz për sigurinë globale dhe paqen, pas sulmeve me raketa balistike dhe dronë ndaj disa vendeve të rajonit.
Zyrtarët saudite theksuan se nëse Irani mendon se vendet e Gjirit nuk janë në gjendje të përgjigjen, ai gabon, duke paralajmëruar se një reagim mund të vijë në çdo moment.
