Çmimet e gazit në Mbretëria e Bashkuar dhe në mbarë Europa janë rritur ndjeshëm, pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Katar dhe Irani, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me energji.
Rritja e çmimeve vjen pas goditjes së kompleksit energjetik në Ras Laffan, një nga qendrat më të mëdha të përpunimit të gazit në botë. Sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka ndikuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare.
Në një reagim të fortë, Donald Trump paralajmëroi Iranin kundër sulmeve të mëtejshme në Katar, duke përmendur “dëme të mëdha” në infrastrukturën energjetike. Ai gjithashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin dijeni për sulmin izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh se objektivat e luftës mbeten të pandryshuara dhe se operacionet po vijojnë sipas planit.
Shtetet arabe kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët, duke dënuar ashpër sulmet e Iranit ndaj vendeve fqinje, ndërsa analistët paralajmërojnë se goditjet ndaj sektorit energjetik përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit në rajon.
Ekspertët theksojnë se kjo situatë ishte pikërisht ajo që vendet e Gjirit kishin paralajmëruar, pasi çdo goditje ndaj infrastrukturës së energjisë ka pasoja të menjëhershme në tregjet globale dhe në çmimet për konsumatorët.
