Një avion luftarak amerikan F-35 bëri një ulje emergjente të enjten në një bazë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme pasi u godit nga zjarri iranian mbi territorin e Iranit, raportuan dy burime të njohura për CNN, përcjell Ynet.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi incidentin, duke deklaruar se avioni u ul në mënyrë të sigurt, piloti ndodhet në gjendje stabile dhe incidenti po hetohet.
Ky është rasti i parë që Irani godet një avion amerikan ose izraelit që nga fillimi i luftës.
Avionët amerikanë kanë qenë më parë të përfshirë në incidente gjatë konfliktit, duke përfshirë një ngjarje që shkaktoi vdekjen e gjashtë ushtarëve amerikanë.
Javën e kaluar, një avion për furnizim me karburant u rrëzua në Irakun perëndimor, një incident që CENTCOM tha se përfshinte një tjetër avion dhe nuk ishte rezultat i zjarrit armik apo miqësor.
Në deklaratën fillestare u tha se “Komanda Qendrore e SHBA-së po kryen operacione rikuperimi pas rrëzimit të një avioni KC-135 për furnizim me karburant. Avioni i dytë u ul në mënyrë të sigurt.”
Rreth dy javë e gjysmë më parë, në ditën e tretë të luftës, ushtria amerikane konfirmoi se tre avionë F-15 u goditën aksidentalisht mbi Kuvajt nga “zjarri miqësor.”
Gazeta Wall Street Journal raportoi se tre raketa të lëshuara gabimisht nga një pilot i F/A-18 i Forcave Ajrore të Kuvajtit shkaktuan rrëzimin dhe ejection-in e avionëve amerikanë.
Të gjithë avionët humbën, por pilotët shpëtuan falë përdorimit të karriges së shpëtimit. Pamjet e shpërndara më vonë treguan një F-15 duke spiraluar para se të përplasej në tokë.
