Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen në Korçë 2 persona për kontrabandë me medikamente dhe gas freon



Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit (DVKM) Korçë vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në kufi, duke arrestuar dy persona dhe duke proceduar penalisht një tjetër.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, specialistët në bashkëpunim me shërbimet doganore sekuestruan një sasi medikamentesh të kontrabanduara nga Greqia, disa bombola me gas freon, dy automjete dhe një celular.

Një 47-vjeçar me banim në Greqi, shtetasi I. Ç., u arrestua për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”, pasi gjatë kontrollit iu gjetën medikamente pa dokumentacionin përkatës.

Po ashtu, gjatë kontrolleve të tjera u evidentuan:

  • Shtetasi R. P., 45 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, i cili u ndalua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi; për të është kryer arrestimi në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
  • Shtetasi E. K., 63 vjeç, banues në Korçë, tek i cili u gjetën të fshehura në bagazh disa bombola me gas freon, të dyshuara të kontrabanduara; për të ka nisur procedimi penal për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.