Vendosni fjalën kyçe....

Rama takim me furnizuesit e naftës: Rritje e moderuar e çmimeve


Edi Rama po zhvillon një takim me furnizuesit e karburanteve, pas rritjes së çmimeve të naftës si pasojë e tensioneve dhe luftës në Lindjen e Mesme.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se në Shqipëri rritja e çmimeve ka qenë e moderuar, por paralajmëroi se situata mbetet e paqartë për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare.

“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Gjithsesi sfida është e hapur, askush nuk di të thotë se kur do të përfundojë kjo situatë që ndikon drejtpërdrejt te çmimi i naftës,” u shpreh Rama, duke theksuar se luhatjet në bursë mbeten të paparashikueshme.

Ai u ndal edhe te rezervat e karburanteve, duke theksuar se sipas kontratave ekzistuese, furnizuesit kanë rezerva të garantuara për rreth 100 ditë, por situata duhet monitoruar vazhdimisht.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se është në konsultim një ligj i ri për rezervën shtetërore dhe paralajmëroi një nismë për futjen e një operatori shtetëror në tregun e shumicës së karburanteve, me qëllim garantimin e furnizimit dhe lehtësimin e marrëdhënieve me kompanitë ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, Rama u shpreh kundër rikthimit të Bordit të Transparencës, duke theksuar se preferon bashkëpunimin me biznesin në vend të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta. Ai u kërkoi furnizuesve të ulin marzhet e fitimit për të mos ia kaluar të gjithë barrën konsumatorëve.

“Nuk duam t’ju shtrëngojmë, por që kriza në Lindjen e Mesme të mos projektohet e gjitha mbi qytetarët. Më mirë marzhe më të ulëta fitimi sesa rikthimi i Bordit në kurrizin tuaj,” deklaroi Rama.

Takimi vjen në një moment kur çmimi i naftës në vend ka arritur deri në 202 lekë për litër, ndërsa aktorë të tregut dhe biznesit kanë kërkuar masa lehtësuese nga qeveria për të përballuar situatën.