Vendosni fjalën kyçe....

“Do ta bëj PD fituese dhe do ‘tërheq zvarrë’ Ramën”, Salianji kritikon Berishën


Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, gjatë një takimi publik ka renditur premtimet e pa mbajtura të liderit të PD, Sali Berisha, duke theksuar se ai nuk ka mundësi ose nuk dëshiron të mbledhë të gjitha flukset e opozitës.

Salianji u shpreh se shumë nga fjalët e dhëna nga Berisha, si kthimi i PD në pushtet apo largimi i tij nga drejtimi i partisë, nuk janë realizuar, edhe pse parashikohen në Statut.

“Jam në politikë dhe jam pjesë e një partie politike. Çelim një cikël tryezash për të treguar se kreu i PD nuk ka mundësinë të mbledhë të gjithë flukset e opozitës; në disa raste nuk do, në disa raste i ka zhgënjyer. Nëse para 4 viteve thua se nuk do të mi vjedhë zgjedhjet Rama, do ta bëj PD fituese në zgjedhjet lokale dhe do ta tërheq Ramën zvarrë në zgjedhjet e përgjithshme, do të rregulloj marrëdhëniet me ndërkombëtarët, që deputetët do t’i zgjedhë anëtarësia dhe jo lidershipi”, tha ai.

Salianji shtoi se mbajtja e fjalës është thelbësore dhe se Statuti i partisë përcakton se nëse PD nuk fiton zgjedhjet, kreut të saj i hiqet mandati dhe nuk ka të drejtë rikandidimi, duke e konsideruar këtë një rregull të shkruar, jo thjesht një premtim verbal.