
Opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar përdorimin e rreth 4 miliardë eurove të investuara në infrastrukturën rrugore, pas dëmtimeve të shumta të raportuara muajt e fundit.
Nisma u prezantua nga sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe është firmosur nga 39 deputetë të Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokratike. Sipas tyre, dëmtimet në akse si Librazhd–Prrenjas, Qukës–Qafë Plloçë, Korçë–Ersekë, Unaza e Burrelit dhe Dardhë–Boboshticë tregojnë probleme serioze në projektim, zbatim dhe mbikëqyrje të punimeve.
Blushi theksoi se gjatë viteve 2014–2025 janë shpenzuar miliarda euro për rrugët, por degradimi i shpejtë i tyre ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e fondeve dhe standardet e ndërtimit.
Sipas kërkesës së dorëzuar në Kuvend, komisioni do të verifikojë veprimet dhe mosveprimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, respektimin e standardeve nga kompanitë që kanë ndërtuar rrugët, si dhe rolin e institucioneve dhe organizatave profesionale. Në fund, pritet të hartohen edhe rekomandime për të përmirësuar investimet publike në të ardhmen.
Në dokument thuhet se dëmtimet e fundit kanë sjellë pasoja të mëdha për qarkullimin dhe ekonominë, ndërsa vihet në pikëpyetje edhe argumenti se ato janë shkaktuar vetëm nga reshjet e shiut.