Shteti ka mbledhur 130.3 miliardë lekë në dy muajt e parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.
Në krahasim me janar-shkurtin e 2025, në buxhet kanë hyrë 13.4 miliardë lekë më shumë, ose 11.5% rritje. Të ardhurat, sipas Ministrisë së Financave, janë mbi planin për këtë periudhë, me realizim 104.4%, dhe përbëjnë 15.8% të planit vjetor.
Në përmbledhjen e Performancës Paraprake të të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Shkurt 2026, ministria shpjegon se pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga tatimet dhe doganat, që kanë sjellë 80.8 miliardë lekë, rreth 3.1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Nga doganat janë mbledhur 33.1 miliardë lekë, ose 91.7% e planit. TVSH-ja në import ka sjellë 21.5 miliardë lekë, ndërsa akciza 10 miliardë lekë, me rritje prej 561 milionë lekësh ose 5.9%.
Nga renta minerare në eksport janë mbledhur 234 milionë lekë. Ndërsa taksat doganore kanë sjellë 1.3 miliardë lekë, rreth 100 milionë lekë më shumë se një vit më parë, ose 8% rritje, por me realizim 89.8% të planit.
Nga administrata tatimore janë mbledhur 47.7 miliardë lekë, rreth 3.6 miliardë lekë më shumë se në 2025, ose 8.2% rritje. Kjo vlerë është 1.4 miliardë lekë mbi planin e kësaj periudhe.
TVSH-ja e mbledhur brenda vendit ka arritur në 18.5 miliardë lekë, me rritje prej 2.4 miliardë lekësh ose 14.9% krahasuar me vitin e kaluar dhe 10.1% më shumë se plani. Për këtë periudhë janë dhënë edhe 1.5 miliardë lekë rimbursime.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë arritur në 7.4 miliardë lekë, rreth 1 miliard lekë më shumë se një vit më parë, ose 15.6% rritje. Ky zë, sipas të dhënave të ministrisë, është edhe mbi planin, me realizim 112.6%.
Tatimi mbi të ardhurat personale ka sjellë 14.1 miliardë lekë në buxhet, rreth 522 milionë lekë më shumë, me një rritje prej 3.8%.
7.7 miliardë lekë janë mbledhur nga taksat nacionale, me realizim 94.1% të planit.
Një tjetër zë i rëndësishëm janë fondet speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Nga këto fonde janë mbledhur 32.2 miliardë lekë, rreth 2.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, një rritje prej 7.7% që e ka ccuar nivelin e planit të realizuar në 100.1%
Ndërkohë, shpenzimet publike për dy muajt e parë të vitit kanë arritur në 100.6 miliardë lekë, që është e barazvlefshme me rreth 92% e planit. Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet janë rritur me 7.2%.
