
Të paktën 23 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie shpërthimesh të dyshuara si sulme vetëvrasëse në qytetin Maiduguri, në verilindje të Nigerisë, përcjell DW.
Sipas policisë, shpërthimet ndodhën mbrëmjen e së hënës në kryeqytetin e shtetit të trazuar Borno State. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
Autoritetet bëjnë me dije se një nga shpërthimet goditi tregun e mbushur të qytetit, një tjetër pranë hyrjes së spitalit universitar, ndërsa një i tretë ndodhi afër zyrës postare.
Zëdhënësi i policisë, Nahum Kenneth Daso, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se sulmet janë kryer nga kamikazë. Ai konfirmoi se 23 persona kanë humbur jetën, ndërsa 108 të tjerë kanë pësuar plagë të ndryshme.
Forcat e sigurisë janë dislokuar në zonat e prekura, të cilat janë rrethuar dhe kontrolluar për të përjashtuar rreziqe të tjera të mundshme. Sipas policisë, situata tashmë është vënë nën kontroll.
Sulmet vijnë pas një tjetër incidenti të ndodhur gjatë natës nga e diela në të hënë, kur një postë ushtarake u sulmua nga militantë të dyshuar islamistë.
Rajoni i Borno-s ka qenë për vite me radhë vatër e aktivitetit të grupeve ekstremiste si Boko Haram dhe Islamic State West Africa Province, të cilat synojnë krijimin e një kalifati. Konflikti ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona banorë në verilindje të vendit.
Edhe pse Maiduguri nuk kishte përjetuar sulme të mëdha që nga viti 2021, prania e shtuar e forcave të sigurisë dhe patrullimeve ushtarake tregon se kërcënimi mbetet ende i lartë.