
Gjenerali i ushtrisë amerikane që mbikëqyrte asistencën ushtarake të Uashingtonit për Ukrainën, la harta të klasifikuara në një tren në Evropë dhe pësoi një tronditje truri pas një nate me pirje të rëndë alkooli, sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Inspektori i Përgjithshëm i Pentagonit.
Gjeneral-majtori në pension, Antonio Aguto Jr., komandoi Grupin e Ndihmës për Sigurinë në Ukrainë (SAG-U) me bazë në Gjermani, që nga aktivizimi i tij në nëntor 2022 deri në gusht 2024. Njësia, e përbërë nga rreth 300 personela, ishte përgjegjëse për koordinimin e trajnimit dhe pajisjes së forcave ukrainase.
Sipas raportit prej 56 faqesh të publikuar të premten, bazuar në intervistat me Aguto-n dhe 33 dëshmitarë pas ankesave anonime, gjenerali trajtoi në mënyrë të papërshtatshme materialet e klasifikuara gjatë një udhëtimi në Ukrainë në prill të vitit 2024.
Aguto mori me vete një tub me harta të klasifikuara si “Sekret” në Kiev, por, gjatë udhëtimit të kthimit nga Ukraina në Gjermani, shoqëruesit e tij i harruan ato në tren kur zbritën në Poloni. Dokumentet u gjetën 24 orë më vonë nga Ambasada e SHBA-së në Ukrainë kur treni u kthye.
Një muaj më vonë, gjatë një udhëtimi tjetër në Ukrainë, Aguto mori pjesë në një darkë gjashtë-orëshe në Kiev të përshkruar si një angazhim ushtarak. Dëshmitarët raportuan se ai piu afërsisht dy shishe 500 ml me chacha, një raki gjeorgjiane që përmban 40-50% alkool.
Atë mbrëmje, Aguto u rrëzua në dhomën e tij të hotelit, duke goditur kokën, pastaj u rrëzua përsëri në orët e para të mëngjesit dhe për herë të tretë rrugës për në Ambasadën e SHBA-së, duke grisur xhaketën dhe duke goditur nofullën, shkruan Rt.
Të nesërmen, ai u shfaq në një takim me Sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Antony Blinken, duke u dukur “plotësisht i shkalafitur” dhe “jashtë vete”, duke i zgjatur fjalët dhe duke u sjellë si “i dëmtuar nga ana kognitive”. Ai u diagnostikua më vonë me një tronditje truri të shkallës mesatare deri në të rëndë.
Hetuesit përcaktuan se rrëzimet erdhën si pasojë e “teprimin me alkool”, duke gjetur se Aguto shkeli politikat e Departamentit të Mbrojtjes. Gjenerali nuk ra dakord, duke pretenduar se kishte marrë leje verbale nga eprori i tij.
Aguto dorëzoi komandën në gusht 2024 dhe doli në pension pak kohë më pas.
Shërbimi i tij koincidoi me fushatën masive të mbështetjes ushtarake për Ukrainën të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm amerikan Joe Biden, e cila përfshinte miliarda dollarë në armatime dhe asistencë tjetër. Moska ka dënuar vazhdimisht ndihmën ushtarake perëndimore për Kievin, duke argumentuar se ajo vetëm zgjat konfliktin pa ndryshuar rezultatin e tij të pashmangshëm.