Vendosni fjalën kyçe....

Balla prezanton rezolutën për Iranin: Kemi qenë shënjestër e disa sulmeve kibernetike



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, prezantoi në Kuvend projekt-rezolutën e propozuar nga socialistët në lidhje me Iranin, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër terrorizmit për sigurinë globale dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Balla u shpreh se terrorizmi përbën një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë, por edhe për vetë rendin demokratik.

“Sot Kuvendi është ftuar të miratojë një rezolutë që lidhet me çështjet më të rëndësishme të rendit global dhe sigurisë, lufta ndaj terrorizmit dhe përgjegjësia e shteteve që e mbështesin. Terrorizmi nuk është vetëm akt dhune, por minim i rendit demokratik. Godet civilët, institucionet dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar rendi”, deklaroi ai.

Balla nënvizoi se lufta kundër terrorizmit është një betejë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, ndërsa theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në këtë qëndrim.

“Lufta ndaj terrorizmit është betejë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Shqipëria mbetet një shtet i qartë dhe i palëkundur në këtë luftë, duke zgjedhur anën e shtetit të së drejtës”, tha Balla.

Ai rikujtoi edhe sulmin kibernetik të vitit 2022 ndaj institucioneve shqiptare, duke e cilësuar atë si një akt agresioni ndaj një shteti sovran.

“Sulmi i rëndë i vitit 2022 ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë ishte një nga episodet agresive ndaj një shteti sovran. Tentoi të dëmtonte funksionimin e institucioneve. Shumë përpjekje janë parandaluar dhe zbuluar në kohë. Pak ditë më parë, përsëri Kuvendi i Shqipërisë ishte shënjestër e një sulmi të ri kibernetik. Këto janë akte të mirëfillta armiqësore”, u shpreh ai.

Sipas Ballës, rezoluta synon të adresojë këtë realitet dhe të dënojë qartë çdo formë të mbështetjes së agresionit, duke propozuar edhe shpalljen e Gardës Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.