Vendosni fjalën kyçe....

Irani ka vendosur rreth dhjetë mina në Ngushticën e Hormuzit


Irani ka vendosur rreth dhjetë mina në Ngushticën e Hormuzit, bënë të ditur dy burime të njohura me çështjen, në një lëvizje që ka gjasa të komplikojë rihapjen e rrugës ujore të ngushtë, një kanal i rëndësishëm për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Eksportet e naftës dhe LNG-së përmes kësaj pike strategjike përgjatë bregdetit të Iranit janë ndalur efektivisht nga lufta e nisur 12 ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, gjë që ka ndihmuar në rritjen e menjëhershme të çmimeve botërore të energjisë.

Komanda ushtarake e Iranit deklaroi të mërkurën se bota duhet të jetë e përgatitur që nafta të arrijë në 200 dollarë për fuçi.

Një burim tha se minat u vendosën “në ditët e fundit” dhe se shumica e lokacioneve të tyre njiheshin. Megjithatë, burimi refuzoi të thoshte se si SHBA-ja planifikon të veprojë me to. CNN raportoi për herë të parë minimin e ngushticës të martën.

Irani ka kërcënuar prej kohësh se do të hakmerret ndaj çdo sulmi ushtarak duke minuar ngushticën. Rreth një e pesta e naftës globale dhe LNG-së normalisht kalon përmes kësaj ngushtice, dhe aftësia e Teheranit për të ndaluar lundrimin përmes kanalit i jep atij një avantazh (leverage) të madh ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Ushtria amerikane thotë se ka shënjestruar anijet iraniane që vendosnin minat, duke eliminuar 16 prej tyre të martën. Por Marina e SHBA-së deri më tani ka refuzuar të ofrojë shoqërim mbrojtës për anijet tregtare përmes ngushticës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkoi të martën që Irani të heqë menjëherë çdo minë të vendosur në ngushticë dhe tha se ai do të përballej me pasoja ushtarake të papërcaktuara nëse dështonte ta bënte këtë, shkruan Reuters.