Izraeli dhe Libani pritet të zhvillojnë në ditët në vijim bisedime që synojnë arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe çarmatimin e grupit Hezbollah, thanë të dielën dy zyrtarë izraelitë, ndërsa përpjekjet diplomatike po intensifikohen paralelisht me luftimet përgjatë kufirit verior.
Televizioni libanez Al‑Jadeed raportoi se deri tani është konfirmuar vetëm një marrëveshje në parim për zhvillimin e negociatave, ndërsa data dhe vendi nuk janë përcaktuar ende. Sipas raportimit, vendet e mundshme për takimet variojnë nga Qipro deri në Paris. Media citoi gjithashtu burime amerikane që thonë se pala izraelite nuk kundërshton në parim bisedimet me Libanin, por nuk është ende gati të hyjë në negociata dhe po pret hapa konkretë nga qeveria libaneze.
Sipas CNN, ish-ministri izraelit Ron Dermer, një bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka vizituar së fundmi Arabinë Saudite, ku ka diskutuar për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në frontin verior. Një zyrtar izraelit tha se vizita ka ndodhur “gjatë dy javëve të fundit”, pas shpërthimit të luftës me Iranin, në një kohë kur Hezbollahu iu bashkua konfliktit.
Megjithëse Dermer dha dorëheqjen nga qeveria vitin e kaluar, Netanyahu i kërkoi atij të koordinojë politikën izraelite për çështjen e Libanit pas shpërthimit të luftës. Nëse zhvillohen negociata me Beirutin, pritet që ai të përfaqësojë Izraelin, përcjell YNet.
Burime të njohura me çështjen thanë se presidenti i Libanit Joseph Aoun dhe kryeministri Nawaf Salam po përgatisin aktualisht një delegacion negociator për bisedime të mundshme me Izraelin.
Megjithatë, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar mohoi raportimet se Izraeli do të zhvillojë së shpejti bisedime të drejtpërdrejta me Libanin. Duke folur gjatë një vizite në qytetin arab Zarzir pranë Nazareth, ai tha se Libani nuk ka bërë mjaftueshëm për të çarmatosur Hezbollah-un.
“Nëse qeveria dhe ushtria libaneze duan të ndryshojnë situatën, duhet të ndërmarrin veprime për të ndaluar sulmet e Hezbollahut nga territori libanez kundër Izraelit,” deklaroi Sa’ar, duke shtuar se Izraeli mbështet në të ardhmen mundësinë e paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve edhe me Libanin.
Në përpjekjet diplomatike janë përfshirë edhe SHBA-ja dhe Franca, të cilat po përpiqen të organizojnë një takim të drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve izraelitë dhe zyrtarëve libanezë për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e shtetit libanez për çarmatimin e Hezbollahut.
Përpjekjet diplomatike synojnë të ndalin përshkallëzimin e konfliktit dhe të shmangin një ofensivë tokësore izraelite në jug të Libanit. Megjithatë, burime izraelite thonë se operacionet ushtarake në Liban mund të zgjerohen pavarësisht bisedimeve.
Ndërkohë, në anën amerikane përpjekjet diplomatike drejtohen nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Izraeli nuk e ka pranuar ende zyrtarisht ftesën për negociata, por sipas burimeve diplomatike, zhvillimet po shkojnë në një drejtim pozitiv.
