
Ushtria izraelite, Israel Defense Forces (IDF), pretendon se ka shkatërruar rreth 70% të lëshuesve të raketave të Iranit që nga fillimi i luftës, duke ulur ndjeshëm intensitetin e sulmeve me raketa drejt Izraelit. Sipas një zyrtari të sigurisë, fushata ushtarake – tashmë në ditën e 16-të – po ecën “përtej pritshmërive”, përcjell YNet.
Ai tha se një nga treguesit kryesorë është numri i raketave të lëshuara në çdo valë sulmi, i cili ishte dhjetëra në ditën e parë të konfliktit, por që tani ka rënë ndjeshëm.
Zyrtari shtoi se drejtuesit e Iranit janë befasuar nga shkalla e ofensivës izraelite dhe shumë prej tyre ndodhen në fshehje, gjë që ka vështirësuar vendimmarrjen dhe komunikimin me forcat në terren.
Sipas vlerësimeve të sigurisë izraelite, rreth 5,000 pjesëtarë të forcave të regjimit iranian janë vrarë deri tani në luftë, ndërsa disa zyrtarë amerikanë besojnë se numri mund të jetë edhe më i lartë.
Një pjesë e kaosit, sipas zyrtarit, lidhet edhe me vdekjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei. Roli i djalit të tij, Mojtaba Khamenei, i cili thuhet se është vendosur në vend të tij, mbetet ende i paqartë.
Forcat iraniane thuhet se janë tërhequr në zona malore dhe po përpiqen të koordinojnë sulmet me raketa, ndërsa Izraeli vazhdon goditjet ndaj objektivave ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes në Iran për të penguar rindërtimin e kapaciteteve ushtarake.
Ndërkohë, në veri të Izraelit pritet të thellohet operacioni në Libanin jugor kundër Hezbollahut, i cili sipas zyrtarëve izraelitë ka pësuar humbje të mëdha gjatë konfliktit.