
Që kur Italia u bë shtet në vitin 1861, ka pasur një mënyrë të sigurt për të ditur se kush është dhe kush nuk është shtetas italian: duke parë prindërit e tyre.
Faqja e parë e Kodit Civil, e botuar në vitin 1865 si rregullorja e shtetit më të ri të Evropës, deklaronte se një fëmijë i lindur nga një shtetas italian ishte shtetas italian.
Ky parim themeltar tani duket se do ndryshojë – duke u dhënë fund ëndrrave të diasporës për t’u kthyer në vendin amë, dhe duke nënkuptuar se italianët që lëvizin jashtë shtetit rrezikojnë t’u mohojnë shtetësinë pasardhësve të tyre.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese tha se do vendoste në favor të qeverisë dhe ligjit të saj polemizues të vitit 2025, i cili kufizonte shtetësinë për ata që lindin jashtë vendit. Ligji i nxjerrë marsin e kaluar përmes një dekreti urgjent, ishte kundërshtuar nga katër gjyqtarë, të cilët vunë në dyshim kushtetutshmërinë e tij.
Tani, pas seancës së parë nga katër gjithsej, që u mbajt të mërkurën, një deklaratë e lëshuar nga gjykata tregon se ajo do mbështesë pozicionin e qeverisë, shkruan CNN.
Ky njoftim do jetë një goditje dërrmuese për ata që besonin se gjykata do mbështeste historinë 160-vjeçare të Italisë për shtetësinë përmes prejardhjes, ose ius sanguinis.
Rregullat e shtetësisë së Italisë kanë qenë të lidhura ngushtë me diasporën e saj që nga formimi i shtetit.
Më parë, italianët që lëviznin jashtë vendit mund t’ua kalonin shtetësinë fëmijëve të tyre për sa kohë që nuk hiqnin dorë ose nuk e humbisnin atë, shpesh duke fituar një shtetësi tjetër.