
Të mbyllur e quajti kryeministri Rama çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në podcastin e përjavshëm që mban kreu i qeverisë, tha se Kuvendi e trajtoi më shumë përgjegjësi dhe kujdes materialet që iu vunë në dispozicion dhe mori vendimin.
Ai shtoi se Shqipëria është vendi me më shumë të paraburgosur në kontinent dhe de deputeti duhet hetuar si të gjithë shtetasit e tjerë.
“Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur.
Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, të të gjitha vendeve të Këshillit të Euopës, jo të Bashkimit Europian, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar. Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetësi tjetër, nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe ata bëjnë çfarë të duan.” – tha Rama.