Vendosni fjalën kyçe....

PD do të protestojë sot para Kuvendit gjatë votimit për imunitetin e Ballukut



Partia Demokratike e Shqipërisë do të zhvillojë sot një protestë para godinës së Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë kur në seancën plenare pritet të votohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Sipas njoftimit zyrtar, protesta do të nisë në orën 10:00. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit.

Që prej ditës së djeshme, zona përreth Parlamentit është rrethuar me gardh metalik, ndërsa pritet edhe një prani e shtuar e forcave të policisë për të shmangur çdo incident. Burime bëjnë me dije se situata mund të shoqërohet me tensione.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Socialistejanë njoftuar të paraqiten në Kuvend më herët se zakonisht dhe të mos mungojë asnjë, për të marrë pjesë në votimin e kërkesës së SPAK.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se për shkak të protestës do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në zonën pranë Parlamentit.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit,” thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas autoriteteve, nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”.

Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore përreth, ndërsa policia ka parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.

Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim për kufizimet në qarkullim dhe të distancohen në rast se përballen me veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.