Vendosni fjalën kyçe....

Begaj premton mbështetje më të fortë për shqiptarët e Luginës së Preshevës


Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ishin në qendër të takimit mes presidentit Bajram Begaj dhe kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në Tiranë.

Pas bisedës, Begaj tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të fortë në mbrojtje të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut për të përballuar sfidat në këtë rajon.

“Me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, biseduam për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për sfidat me të cilat përballen. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të tyre”, tha Begaj.

Edhe Sinani foli për temat që u trajtuan gjatë takimit, duke thënë se e informoi presidentin për zhvillimet në Preshevë dhe për vështirësitë me të cilat përballet komuniteti shqiptar.

Sipas saj, në bisedë u prekën edhe projektet zhvillimore dhe mënyrat për të forcuar bashkëpunimin me institucionet e Shqipërisë në fusha që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.

“Shpreh mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë në sensibilizimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në afirmimin e të drejtave tona në arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik”, tha Sinani.