
Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se imuniteti parlamentar nuk duhet të shërbejë si pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.
Reagimi vjen në një kohë kur në Kuvend pritet të votohet lidhur me imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për autorizim për arrestimin e saj.
Në deklaratë, ambasada thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit, duke vlerësuar gjithashtu progresin që Shqipëria ka bërë në reformën në drejtësi që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK.
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut.
Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE.
Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në postim.