Vendosni fjalën kyçe....

“A ka më moral ky Parlament?”- PS votoi kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, Lapaj: Maskat ranë


Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, ku mazhoranca me 82 vota rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit Belinda Balluku, reagoi edhe kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Lapaj deklaroi se me këtë vendim kryeministri Edi Rama u rreshtua në krah të abuzimit dhe kundër drejtësisë.

Ai vuri në pikëpyetje moralin e Parlamentit për të vijuar punën dhe bëri thirrje për dorëheqjen e Ramës, duke propozuar krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe reformimin e Kodit Zgjedhor, si dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

Postimi i plotë:

Maskat ranë! Edi Rama me 82 vota u rreshtua në krah të abuzimit duke i dalë kundër drejtësisë!

Besoj dhe ndërkombëtarët tashmë janë të qartë se Edi Rama në funksion të pushtetit të vetë është i gatshëm të bëjë çdo gjë!

A ka më moral ky Parlament të vazhdojë punën? A mund të ketë më besim se ky njeri do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A mund të bashkëjetojmë më me këtë model shtypës?

Zgjidhja e vetme është dorëheqja pa kushte e tij!

Krijimi i një qeverie tranzitore të përbërë nga intelektualë përtej partive me mandat 12 mujor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Reformim i Kodit Zgjedhor për demokratizimin e vendit.

Depolitizim i administratës zgjedhore.